Shënohet 102-vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë

Shënohet 102-vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë

Është shënuar edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, përvjetori i 102-të i themelimit të Republikës së Turqisë, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.

Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Turqisë në Prishtinë, morën pjesë udhëheqës të institucioneve, deputetë të Kuvendit të Kosovës, krerë të partive politike, ushtarakë, udhëheqës fetarë, mësimdhënës dhe pjesëtarë të komunitetit turk në Kosovë.

Para të pranishmëve, Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunc Angili, tha se Turqia moderne sot është më e fortë se një shekull më parë dhe “kjo është trashëgimia më e madhe e themeluesve tanë”.

Ai tha se Turqia është një nga vendet e Ballkanit dhe ndan me vendet e këtij rajoni të njëjtën kulturë dhe gjeografi.

“Kombi turk është i lumtur kur njerëzit në Kosovë janë të lumtur. Dhe ne ndiejmë dhimbjen e njëjtë kur Kosova është në dhimbje. Ky emocion i fortë njerëzor i jep karakter kombit tonë”, tha Angili.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i cili mori pjesë në ceremoni, tha para të pranishmëve se Turqia është aleat kyç dhe partner strategjik për Kosovën.

“Republika e Turqisë ka luajtur një rol të madh si aleat i yni, duke filluar nga momentet tona më të vështira gjatë luftës, në periudhën e pasluftës dhe tani në forcimin e kapaciteteve shtetërore. Shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen e shtetit dhe popullit turk për ndihmat humanitare, për ndihmën në ndërtimin e institucioneve dhe për mbështetjen e vazhdueshme në sovranitetin dhe rrafshin ndërkombëtar”, tha Basha.

Kryeparlamentari tha se Kosova dhe Turqia, përpos bashkëpunimit të tashëm, ndajnë edhe histori të përbashkët.

Ceremonia u mbyll me muzikë “live” nga një orkestër e ardhur nga qyteti Edirne i Turqisë.