Shkarkohet gjenerali që e drejtonte mbrojtjen e Maduros

Shkarkohet gjenerali që e drejtonte mbrojtjen e Maduros

Gjenerali që komandonte Gardën e Nderit Presidencial të Venezuelës, Javier Marcano Tabata, është shkarkuar nga detyra vetëm disa ditë pasi udhëheqësi venezuelian Nicolas Maduro u kap nga forcat amerikane gjatë një operacioni në Karakas dhe u dërgua në Nju Jork për t’u përballur me akuza për narko-terrorizëm.

Garda e Nderit Presidencial është forca ushtarake që siguron truprojat përgjegjëse për mbrojtjen e kreut të shtetit, raporton BBC.

Ndërsa qeveria e Venezuelës ende nuk ka dhënë një bilanc të detajuar të viktimave, besohet se pjesëtarë të kësaj garde janë në mesin e dhjetëra personave të vrarë gjatë operacionit amerikan për kapjen e Madurós.

Rodriguez u betua në detyrë nga Asambleja Kombëtare, e cila dominohet nga besnikë të qeverisë, të hënën. Ajo ka shërbyer si zëvendëspresidente e Madurós dhe konsiderohet një aleate e ngushtë e liderit tashmë të burgosur.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në konferencën për shtyp pas kapjes së Maduros se Shtetet e Bashkuara do ta “drejtojnë” Venezuelën dhe se SHBA-ja është në bisedime me Rodríguez. Ai paralajmëroi gjithashtu se Rodríguez do të përballej me një “fat më të keq se ai i Maduros” nëse nuk do të përmbushte kërkesat amerikane, përfshirë ato për naftën, duke qenë se Venezuela ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë.

Të martën, presidenti amerikan tha se Venezuela do t’i “dorëzonte” SHBA-së deri në 50 milionë fuçi naftë, por qeveria e përkohshme e Venezuelës ende nuk ka komentuar këtë deklaratë.

Qëndrimi i Rodríguez ka luhatur mes sfidues dhe pajtues që nga momenti kur ajo u emërua presidente e përkohshme nga Gjykata Supreme e Venezuelës. Ajo e ka dënuar kapjen e Maduros si një “rrëmbim të paligjshëm”, por njëkohësisht ka deklaruar se qeveria e saj ka “ftuar qeverinë amerikane të punojë së bashku mbi një agjendë bashkëpunimi”.

Veprimet e saj po vëzhgohen nga afër si brenda ashtu edhe jashtë Venezuelës, për të kuptuar se çfarë kursi mund të ndjekë tani që ka marrë drejtimin e vendit dhe për të identifikuar shenja të mundshme përçarjeje brenda qeverisë së saj.