ZKA: Shkelje në dhënien dhe menaxhimin e pronës publike në tetë komuna

Shkelje në dhënien dhe menaxhimin e pronës publike në tetë komuna

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar rezultatet e tetë auditimeve të pajtueshmërisë, duke evidentuar shkelje të rënda në procesin e dhënies dhe menaxhimit të pronës publike me qira në disa komuna të vendit.

Auditimet, të zhvilluara në kuadër të sezonit 2024/2025 me temën “Dhënia në shfrytëzim dhe menaxhimi i pronave komunale të dhëna me qira”, kanë përfshirë komunat e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Podujevës, Suharekës, Fushë Kosovës dhe Vushtrrisë, duke mbuluar periudhën janar 2023 – dhjetor 2024.

Gjetjet kryesore të auditimit:

Procedurat ligjore nuk janë zbatuar plotësisht.

Është ndryshuar qëllimi i shfrytëzimit të pronave pa miratime përkatëse.

Është lejuar shfrytëzim afatgjatë jashtë kufijve ligjor.

Janë zgjatur kontrata pa ndjekur procedura formale.

Dokumentacioni nuk është mbajtur në mënyrë të plotë.

Nuk ka pasur mbikëqyrje të rregullt ndaj shfrytëzuesve të pronave.

Në disa komuna është evidentuar edhe përdorim i pronës pa kontrata valide, si dhe tejkalim i kushteve ligjore, çka ka sjellë humbje të të hyrave publike. Mungesa e raportimit adekuat nga ekzekutivi ka kufizuar edhe mbikëqyrjen dhe vendimmarrjen e Kuvendeve Komunale.

Konkluzioni i ZKA-së është se komunat e audituara nuk kanë vepruar në përputhje me kornizën ligjore për dhënien dhe menaxhimin e pronës së paluajtshme, duke rrezikuar integritetin e pronës publike dhe duke ulur të hyrat komunale.

Për të adresuar këto dobësi, ZKA ka dhënë gjithsej 54 rekomandime për përmirësimin e menaxhimit dhe mbikëqyrjes së pronës publike.