Fetoshi: “Shoqëria Historike Ruse”, alarm i kuq për Evropen

“Shoqëria Historike Ruse”, alarm i kuq për Evropen

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride OCTOPUS, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se themelimi i degës së “Shoqërisë Historike Ruse” në Beograd është dëshmi e qartë e orientimit neosovjetik të Serbisë dhe e nënshtrimit të saj ndaj strategjisë ekspansioniste të Kremlinit, përcjell KosovaPost.

Sipas tij, ky institucion, i themeluar fillimisht në periudhën cariste dhe i ringjallur nga Vladimir Putin më 2012 nën drejtimin e shefit të inteligjencës ruse Sergei Jaryshkin, përfaqëson vegël të “vëllazërisë sllave”, që rrezikon sigurinë dhe rendin demokratik në rajon.

Fetoshi thekson se shefi i degës në Beograd, Aleksandër Vulin – ish-ministër i Brendshëm dhe ish-drejtor i BIA-s, i sanksionuar nga SHBA për korrupsion dhe lidhje me Kremlinin – e ka paraqitur organizatën si qendër për mbështetje të “botës serbe” dhe aleancës me Rusinë e Kinën.

Në analizën e tij, Fetoshi shpjegon se gjatë katër ditëve të fundit të tetorit janë shfaqur tri nivele të një strategjie të bashkërenduar:

Presidenti Vuçiq ka përsëritur narrativën se Serbia ecën drejt BE-së pa e njohur Kosovën;

Vulin ka institucionalizuar nënshtrimin ndaj Moskës përmes “Shoqërisë Historike”;

ndërsa Lavrov ka propozuar modelin euro-aziatik të sigurisë, në linjë me doktrinën e Neo-Euroaziatizmit të Aleksandër Duginit.

Sipas Fetoshit, kjo tregon një strategji të maskuar ruso-serbe, e cila kërkon të legjitimojë ndikimin rus në Europë përmes shantazhit: “ose lejoni interesat tona, ose përballuni me luftë”.

Ai kujton se pas “Qendrës Humanitare Ruso-Serbe” në Nish (2012), “Shoqëria Historike” është faza më e sofistikuar e “putinizimit të Serbisë”, që synon të formësojë kujtesën kolektive sipas narrativave pro-Kremlinit.

Fetoshi paralajmëron se kjo strukturë, e udhëhequr nga Jaryshkin dhe Vulin, do të përdoret për:

Rishkrimin e historisë sipas logjikës se “NATO ishte agresore dhe Serbia viktimë”;

Përhapjen e propagandës nën petkun e “akademizmit”; dhe

Penetrimin në institucione arsimore e mediatike për krijimin e ndikimit të qëndrueshëm rus.

Ai shton se Serbia po përdor “neutralitetin” si fasadë, ndërsa në realitet po armatoset dhe po sinkronizohet me Moskën e Pekinin, duke kombinuar diplomacinë, propagandën dhe veprimet e kontrolluara ushtarake në Kosovë e rajon.

Në fund të analizës, Fetoshi e cilëson “Shoqërinë Historike Ruse” si projekt ideologjik për fazën finale të përplasjes ruso-serbe me Perëndimin, që synon ta paraqesë Rusinë si “shpëtimtare” dhe ta konsolidojë rezistencën ndaj NATO-s, demokracisë dhe vlerave perëndimore.

“Themelimi i degës në Beograd është alarm për mbrojtjen e së vërtetës historike. Historia nuk duhet të kthehet në armë për qëllime hegjemoniste”, përfundon Fetoshi.