Janë shpallur të pafajshëm ish-deputetët e përfshirë në rastin e njohur të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë viteve 2015-2016, në shenjë kundërshtimi të Asociacionit dhe demarkacionit, pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur rreth dhjetë vjet.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj Albulena Haxhiut dhe të tjerëve, për shkak të parashkrimit të veprës penale, duke bërë aktakuzën e vjetruar.
Në një konferencë për media, avokati i Albulena Haxhiut, Burim Halili, tha se gjatë gjithë procesit gjyqësor nuk është arritur të provohet fajësia e të akuzuarve.
“Është mbajtur një shqyrtim gjyqësor dhe asnjëherë nuk ka arritur që të vërtetohet që elementet e dyshimta kishin të bënin me veprën penale për çka dhe ato ishin ndaluar. Dhe këtu në vitin 2021 kishim pasur një aktgjykim, ku të njëjtit ishin shpallur domethënë të pafajshëm dhe në afat ligjor ishte ushtruar ankesë. Dhe rasti kishte shkuar në rigjykim, edhe pas rigjykimit prokuroria kishte dështuar që me veprimet e saj të vërtetojë fajësinë e tyre. Pastaj rasti ishte stërzgjatur ku kishte shkuar dhe arrin pas 10 viteve të kemi edhe parashkrim, ku në rastin konkret kemi vendim ku lirohen nga të gjitha pikat e aktakuzës Albulena Haxhiu dhe të tjerët”, tha Halili.
Po në këtë konferencë për media, avokati Musa Damati bëri të ditur se klienti i tij, ish-deputeti Pal Lekaj, është liruar nga të gjitha akuzat.
“Konfirmoj dhe deklaroj para jush dhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës, se klienti im zotëri Pal Lekaj është shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat me të cilat është ngarkuar në rastin e njohur për publikun, rastin e gazit lotsjellës. Pra, kemi të bëjmë me rastin e njohur të hedhjes së bombolave të gazit lotsjellës, për të cilat janë pandehur dhe janë ngarkuar dhe është rast i cili është shqyrtuar tashmë e dhjetë vite në organet e Kosovës.” tha Damati.
Ai tha se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë përfshin edhe emra të tjerë të njohur të skenës politike.
“Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallë vendimin e saj për zotërin Lekaj, zonjën Albulena Haxhiu, për zonjën Donika Kadaj dhe zonjën Besa Baftiu. Të gjithë këta, sipas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës janë shpallur të pafajshëm. Dhe më në fund ky rast pas dhjetë viteve ka marrë epilog duke konfirmuar pafajësinë e tyre të plotë”, tha ai.
Sipas mbrojtjes, ky vendim përbën një epilog përfundimtar të njërit prej rasteve më të gjata gjyqësore në vend, duke konfirmuar pafajësinë e të akuzuarve pas një dekade procesesh.



Të tjera
“Lëngu i jetës” që nuk duhet të mungojë në tryezat tuaja
Katër këshilla për ta mbajtur diabetin në kontroll
Në Uashington harmonizuam qëndrimet me ShBA-në për hapat e mëtejmë në dialog