Elvis Hoxha: Shpërndarja e Kuvendit ishte shërbimi i fundit i Vjosa Osmanit për opozitën

Shpërndarja e Kuvendit ishte shërbimi i fundit i Vjosa Osmanit për opozitën

Profesori i filozofisë në Tiranë dhe njëkohësisht anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Elvis Hoxha, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke kritikuar rolin e Presidentes Vjosa Osmani në krizën institucionale.

Sipas Hoxhës, Osmani nuk arriti të koordinohej me opozitën për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ai theksoi se një presidente Vjosa Osmani do të nënkuptonte vazhdimin e Albin Kurtit në postin e kryeministrit, gjë që, sipas tij, ishte e papranueshme për opozitën.

“Hoxha vlerëson se opozita ka pasur vetëm një objektiv politik: që Albin Kurti të mos jetë më kryeministër. Për këtë arsye, sipas tij, ajo nuk mund ta pranonte Osmanin si presidente, pasi kjo do të siguronte vazhdimësinë e qeverisë aktuale.

Ai shton se, për shkak të mungesës së marrëveshjes me opozitën për postin e saj, Osmani përfundimisht i bëri një shërbim opozitës duke shpërndarë Kuvendin, veprim që Hoxha e konsideron antikushtetues.

Në të njëjtën kohë, Hoxha shprehet se opozita nuk e dëshiron domosdoshmërisht mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por mbi të gjitha synon që Albin Kurti të mos vazhdojë në postin e kryeministrit.

Ai shton se, në rast të zgjedhjeve të reja, opozita mund të përballet me një rezultat edhe më të dobët, duke shprehur dyshimin se PDK nuk do të arrijë më të sigurojë vota për AAK-në si në rastet e mëparshme.