Shqipëri, reshjet e shiut shkaktojnë përmbytje në disa zona

Shqipëri, reshjet e shiut shkaktojnë përmbytje në disa zona

Reshjet e orëve të fundit në Shqipëri kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit, ndërkohë, dhjetëra banesa janë përmbytur.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se Qarku Shkodër rezulton më i prekur nga reshjet me intensitet të lartë.

“Strukturat e mbrojtjes civile në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse janë në terren dhe po ndjekin nga afër situatën në gjithë vendin si pasojë e reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, strukturat e emergjencave civile të bashkive dhe institucione të tjera vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme.

Gjatë reshjeve të shiut në 24 orët e fundit, situata më problematike është paraqitur në bashkinë e Vaut të Dejës, ku është raportuar për dhjetëra shtëpi nën ujë dhe përmbytje edhe në toka bujqësore.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, në orët në vazhdim pritet të ketë reshje me intensitet të lartë, kryesisht në zonat veriore dhe qendrore të vendit.