Në Shqipëri opozita vazhdon organizimin e protestave antiqeveritare, ndërkohë, e fundit është mbajtur sot me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Protesta e emërtuar “Foltore” është organizuar nga Partia Demokratike (PD) para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, sipas PD-së, kundër rasteve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Qindra qytetarë kanë protestuar edhe me kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës në protestë theksoi se kanë paraqitur para shqiptarëve programin “më të shkëlqyer që kanë paraqitur ndonjëherë”.
“Sonte, ne mblidhemi për të shpallur para mbarë shqiptarëve se PD-ja nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve. Koha është e guximtarëve. Koha është e sakrificës. Por ne jemi të vendosur për sakrificë. Ne jemi të vendosur sepse jemi në të drejtën tonë”, tha Berisha.
Gjatë protestës mbajtën fjalime edhe deputetë të PD-së dhe mbështetës të opozitës.
Para protestës së PD-së, policia u përplas me disa aktivistë dhe mbështetës të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të cilët prej disa ditësh protestojnë para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.
Sipas PD-së, opozitës i është mohuar në muajit e fundit fjala në parlament dhe protesta bëhet edhe kundër rasteve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe kundër mohimit të të drejtave të opozitës.
Në javët e fundit në Shqipëri janë organizuar disa protesta antiqeveritare.



Të tjera
Disa ushqime e parandalojnë kancerin e pankreasit
Jo alkool për t’ju marrë gjumi
Tortë çokollate e lehtë