Shqipëria e lë Serbinë pa selektor, Stojkoviq paraqet dorëheqjen – Ekonomia Online

Shqipëria e lë Serbinë pa selektor, Stojkoviq paraqet dorëheqjen

Përzgjedhësi i Serbisë, Dragan Stojkoviq, i njohur si “Piksi”, pas humbjes nga Shqipëria, praktikisht njoftoi se do të tërhiqet nga ky rol.

“Më lejoni t’ju them, kam folur tashmë me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm. Sigurisht, kam ofruar dorëheqjen time. Pra, nuk e prisja këtë humbje, dhe se kundër ekipit që është rivali kryesor, marr përgjegjësinë, jam i vetmi fajtor. Kam ofruar dorëheqjen time”, tha Stojkoviqi në konferencën për media pas ndeshjes.

“Rezultati është vërtetë i keq, nuk kam pritur se mund të humbasim. Pjesën e parë ka qenë e jona, por nuk dhamë gol dhe pasoi ndëshkimi. Më vonë tentuam gjithçka për të ardhur te goli, por Shqipëria ishte mirë e organizuar. Është faji im, përgjegjësia ime dhe këtu nuk ka dilemë. Nuk duhet kritikuar lojtarët. Është siç është”, tha mes tjerash ai.

“Është e vështirë të përballosh gjithçka. Kjo humbje nuk duhej të kishte ndodhur, duhet të pranoj përgjegjësinë dhe jam këtu për të mbajtur pasojat”, u shpreh ai.

Shqipëria mposhti 1-0 Serbinë në Leskovc, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikim në Botërorin 2026.