Në kanalin FSHF TV u transmetua sot emisioni i 14-të i “Në Shtëpinë e Futbollit”, ku trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, foli ekskluzivisht për përgatitjet e skuadrës dhe objektivin historik të kualifikimit në Botërorin 2026.
Në episod u diskutuan paraqitjet e fundit të kuqezinjve, javët e fundit të kampionatit në Superiore dhe investimet e FSHF-së në infrastrukturën sportive.
Silvinjo theksoi progresin e skuadrës në kualifikueset për Botëror, ku Shqipëria ka fituar 6 nga 8 ndeshjet zyrtare:
“Lojtarët tanë japin gjithçka në fushë, 100%, me shpirt dhe zemër. Ata përfaqësojnë shumë mirë njerëzit tanë dhe jam krenar për ta,” tha trajneri.
Trajneri u ndal edhe te momentet më sfiduese dhe vendimtare:
“Barazimi në Letoni ishte i vështirë, por fitorja ndaj Serbisë në transfertë dhe më pas ndaj Andorrës tregoi maturinë e skuadrës. Këta lojtarë tashmë e kuptojnë rëndësinë e ndeshjeve deçizive dhe janë gati për play-off.”
Në shortin e play-off-it, Shqipëria do të përballet me Poloninë në transfertë. Silvinjo e konsideron sfidën të vështirë, por shpreh besim të plotë te skuadra:
“Polonia është një skuadër e fortë, por ne kemi një skuadër më të përmirësuar. Mund të ndodhë çdo gjë në 90 minuta. Unë besoj shumë te lojtarët dhe puna jonë, do të shkojmë atje me forcën tonë maksimale.”
Trajneri foli gjithashtu për planin e përgatitjeve për ndeshjet e marsit: vizita te lojtarët, analizë e kundërshtarëve dhe ripunim i elementeve të skuadrës. Ai përfundoi me një mesazh motivues:
“Kemi arritur një ëndërr dhe tani duhet të shkojmë drejt objektivit. A mund t’ia dalim? Patjetër!”
Shqipëria synon të shkruajë histori dhe për herë të parë të kualifikohet në Kampionatin Botëror 2026, ndërsa Silvinjo dhe skuadra po punojnë intensivisht për ta realizuar këtë objektiv.



Të tjera
Diskutuam për fushat ku mund të zgjerojmë bashkëpunimin
Përvjetori i Rugovës kujton epokën që ndryshoi historinë e Kosovës
Reuters shkruan për ftesën e Trumpit ndaj Kosovës për “Bordin e Paqes”