Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka shprehur shqetësimin e thellë të Shqipërisë pas shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë luftarakë rusë MiG-31.
Në një postim në platformën X, ajo theksoi solidaritetin e plotë me vendin aleat dhe rikonfirmoi unitetin e NATO-s kundër provokimeve ruse.
“Thellësisht të shqetësuar për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë luftarakë rusë Mig-31 këtë mëngjes. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Aleatin tonë, Estoninë. NATO mbetet e bashkuar kundër provokimeve të Rusisë.”, shkruan Spiropali.
Përshkallëzimi i tensioneve dhe kërkesa e Estonisë
Incidenti, i cili zgjati 12 minuta dhe ku avionët rusë kishin radiot e fikura, ka shtyrë qeverinë estoneze të kërkojë konsultime me aleatët e NATO-s sipas Nenit 4 të Aleancës. Ky veprim tregon seriozitetin e situatës dhe vjen pas një serie shkeljesh të hapësirës ajrore në vendet e NATO-s si Rumania dhe Polonia. Sipas Talinit, sjellja e Rusisë tregon një “paturpësi të paparë.”
Si përgjigje ndaj provokimit, dy avionë italianë F-35, të angazhuar në misionin e patrullimit ajror të NATO-s, u ngritën në ajër dhe i detyruan avionët rusë të largoheshin. Reagimet ndërkombëtare ishin të menjëhershme, me liderë si Ursula von der Leyen dhe Kaja Kallas që u shprehën ashpër kundër Rusisë dhe kërkuan një përgjigje kolektive.
Reagimi i NATO-s dhe qëndrimi i Aleatëve
NATO e ka cilësuar incidentin si “një shembull tjetër i sjelljes së pamatur të Rusisë” dhe ka njoftuar nisjen e Operacionit Sentinel East për të forcuar patrullimin e krahut lindor.
Vendosmëria e Aleancës për të mbrojtur hapësirën e saj të përbashkët duket e qartë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se provokimet ruse do të vazhdojnë nëse nuk përballen me një përgjigje të fortë dhe të unifikuar./rtsh



Të tjera
Thuaji lamtumirë celulitit me këtë scrub natyral me kafe
Pse s’duhet të mbajmë sekrete?
Kurti mbi 309 mijë vota, Konjufca 240 mijë, 10 më të votuarit në VV pas numërimit të rreth 90 përqind të votave