Ekspertja shqiptare në industrinë globale të teknologjisë, Drena Kusari, ka njoftuar se ka marrë një rol të ri të rëndësishëm në gjigantin teknologjik Microsoft.
Përmes një postimi në rrjetin LinkedIn, ajo bëri të ditur se ka nisur zyrtarisht punën si Corporate Vice President dhe General Manager në këtë kompani.
“Jam e lumtur të ndaj se po filloj një pozitë të re si Corporate Vice President dhe General Manager në Microsoft!”, ka shkruar Kusari në njoftimin e saj.
Ky pozicion konsiderohet ndër nivelet më të larta drejtuese në strukturën e kompanisë, duke e vendosur Kusarin në mesin e drejtuesve të lartë të një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë.
Emërimi i saj përbën një tjetër histori suksesi për gratë shqiptare në industrinë globale të teknologjisë.
Me një karrierë të ndërtuar në ekosistemin e Silicon Valley dhe në kompani të mëdha ndërkombëtare, Kusari është ndër figurat shqiptare që kanë arritur në nivele të larta të lidershipit në sektorin global të inovacionit dhe teknologjisë.
Kusari lindur dhe është rritur në Gjakovë, Kosovë.
Pas luftës në Kosovë, ajo u shpërngul në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, ku përfundoi vitin e fundit të shkollës së mesme. Puna e saj e parë ishte si interprete dhe punonjëse terreni për organizatën Save the Children menjëherë pas luftës.
Ka diplomuar me dy drejtime, Ekonomi dhe Diplomaci në Occidental College në SHBA.
Ka marrë MBA nga Harvard Business School, një nga shkollat më prestigjioze të biznesit në botë.
Para se të arrijë në Microsoft, ajo ka pasur një karrierë në disa kompani të mëdha globale si në Goldman Sachs si analiste financiare, McKinsey & Company si konsulente strategjie për kompani Fortune 500, pastaj në Lyft ku ishte General Manager për rajonin Southwest dhe Hawaii, duke qenë dhe gruaja e parë që drejtoi këtë rajon në kompani, e po ashtu edhe në Bumble, ku kishte rol drejtues për strategji dhe zhvillim biznesi.



Të tjera
Mos ndryshoni ngjyrën e flokëve pa e lexuar këtë
Barcelona e “shkatërron” Newcastlen në ndeshjen e kthimit, avancon në çerekfinale
Ndahet nga jeta në moshë të re gazetarja dhe zëdhënësja e FC Dritës, Elife Sherifi