Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje ekonomike me Katarin me vlerë rekord prej 1.2 trilionë dollarësh. Kjo përfshin një sërë marrëveshjesh në fusha të ndryshme, përfshirë edhe një porosi historike të avionëve nga kompania Boeing.
Sipas njoftimit zyrtar, marrëveshja përfshin blerjen e deri në 210 avionëve Boeing 787 Dreamliner dhe 777X nga Qatar Airways, me vlerë rreth 96 miliardë dollarë. Avionët do të pajisen me motorë të prodhuar nga GE Aerospace. Kjo është porosia më e madhe ndonjëherë për avionët me trup të gjerë të Boeing, si dhe porosia më e madhe për modelin 787.
Shtëpia e Bardhë thekson se kjo marrëveshje do të mbështesë rreth 154,000 vende pune në SHBA çdo vit, duke gjeneruar mbi 1 milion vende pune gjatë gjithë periudhës së prodhimit dhe dorëzimit, shkruan Foxbusiness.
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë u përmendën edhe disa marrëveshje të tjera nga sektori privat me Katarin.
U theksua se kompania McDermott ka marrëveshje aktive për infrastrukturë energjetike në Katar me vlerë 8.5 miliardë dollarë, ndërsa Parsons ka fituar 30 projekte me vlerë deri në 97 miliardë dollarë për shërbimet e saj inxhinierike. Gjithashtu, kompania Quantinuum ka hyrë në një sipërmarrje të përbashkët me Al Rabban Capital për të investuar deri në 1 miliard dollarë në teknologjitë kuantike dhe zhvillimin e fuqisë punëtore në SHBA.
Në njoftim theksohet se partneriteti mbrojtës mes SHBA-së dhe Katarit gjithashtu pritet të përfitojë nga këto marrëveshje, me Shtëpinë e Bardhë që thekson se nënshkrimet “shënojnë synimin e Presidentit Trump për të përshpejtuar investimet e Katarit në partneritetin e sigurisë SHBA-Katar — duke forcuar parandalimin rajonal dhe duke përfituar baza industriale amerikane.”/rtk
Të tjera
Manchesteri ngjyroset me të kaltër, City mposht bindshëm Unitedin
Barcelona me rezultat tenistik ndaj Valencias
Vuçiq sërish e angazhoi Radoiçiqin dhe anëtarët e organizatës së tij paramilitare në tubim