Gërvalla flet për raportet me Osmanin: Shumë në rregull janë, takohemi vazhdimisht

Shumë në rregull janë, takohemi vazhdimisht

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur lidhur me raportet me Presidenten Vjosa Osmani, me të cilën dikur ishin shumë të afërta, por qe një kohë është vërejtur një krisje mes tyre.

Gërvalla ka thënë se raportet mes tyre janë “shumë në rregull”.

“Shumë në rregull janë raportet tona me Presidenten Osmani. Presidentja Osmani është udhëheqëse e politikës së jashtme. Ne së bashku në politikën e jashtme…dje, pardje e cdo ditë, deklaratat e politikës së jashtme të presidentes Osmani janë identike me ato që vijnë edhe nga Qeveria por edhe nga unë si Ministre e Punëve të Jashtme. Bashkëpunimi ynë është bashkëpunim mes një ministre dhe Presidentje dhe jemi shumë ok”, ka deklaruar Gërvalla.

Ajo tha se takohet vazhdimisht me Osmanin, duke shtuar se nuk mund të maten marrëdhëniet institucionale me atë se sa herë pijnë kafe bashkë.

“Presidentja Osmani sa herë pajtohet i thoni notere e Kurtit, e kur nuk pajtohet thoni janë prishur raportet. As nuk është notere, as nuk është prish me Albinin….Takohem vazhdimisht në raste të ndryshme. Nuk maten marëdhëniet institucionale mes njerëzve sa herë pijnë kafe mes vete”, ka deklaruar Gërvalla.

“Intensiteti i marrëdhënieve tona matet nga qëndrimet që ka Kosova në politikën e jashtme, ajo është baza – të tjera janë thashetheme”.

Ftohja e raporteve mes Gërvallës dhe Osmanit, të cilat kishin themeluar partinë “Guxo”, kishte nisur pas letrës që Gërvalla ia kishte dërguar Këshillit të Evropës për çështjen e Asociacionit, pa koordinim me Osmanin.