Si ta dalloni kur është koha për ta zëvendësuar filtrin e kabinës së veturës?

Nëse e ndjekim qarkullimin e ajrit në veturë, një degë shkon drejt motorit dhe cilësinë e tij e kontrollon filtri i ajrit, ndërsa dega tjetër shkon drejt kabinës dhe cilësinë e saj e mbikëqyr filtri i kabinës.

Filtri i kabinës përbëhet nga letër dhe pambuk, dhe mund të përmbajë edhe qymyr aktiv (në versionet më të shtrenjta). Funksioni i tij është të parandalojë hyrjen e papastërtive më të imëta në kabinë – deri në 0.1 mikron – dhe kështu të ndalojë që shoferi dhe pasagjerët të thithin ndotës të rrezikshëm nga trafiku dhe mjedisi.

Filtri zakonisht ndodhet pas kutisë së pasagjerit ose nën xhamin e përparmë, dhe mund ta zëvendësoni edhe vetë.

Duhet të ndërrohet çdo 25 mijë deri 50 mijë kilometra. Ndërrimet duhet të jenë më të shpeshta nëse kryesisht vozitni në kushte të trafikut të dendur në qytet, madje përmenden edhe ndërrime dy herë në vit, para pranverës dhe dimrit.

Nëse ndizni shpesh cigare në makinë, llogarisni që do t’i ulni efikasitetin, sepse në rrjetën e filtrit ngjiten depozita yndyrore të tymit.

Koha për ta zëvendësuar filtrin është nëse ndjeni erëra nga jashtë edhe kur keni aktivizuar opsionin e recirkulimit të ajrit në klimatizim, nëse ndjeni erëra të pakëndshme që nuk lidhen me erërat nga jashtë, nëse hyn tym në kabinë, nëse rrjedhja e ajrit është ngadalësuar, apo nëse ventilatori i sistemit të ajrit punon më shumë dhe nuk ka efekt.

Të gjitha këto janë arsye për të shkuar tek servisi dhe për të zëvendësuar filtrin. Kostoja financiare do të jetë e vogël, por përfitimi (shëndetësor) do të jetë shumë më i madh.