Si u prit në Kosovë dëshmia e Rubinit?

James Rubin hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë më 15 shtator.

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit ishte i ftuar nga ekipi i Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin theksoi se Thaçi kishte kryesisht rol politik dhe se nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.

Ai tha se Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.

Ai, gjithashtu, deklaroi se nuk kishte asnjë informacion që lidh Thaçin ose të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje apo ekzekutime.

Si u prit në Kosovë dëshmia e Rubinit?

Dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, u pa si e rëndësishme dhe vendimtare në favor të mbrojtjes së ish-eprorëve të UÇK-së.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se “kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre”.

Analisti politik, Agon Maliqi, shkroi në Facebook se dëshmia e Rubinit “është dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm historik që i përmbys shumë narracione propagandistike”.

“Ai e çmonton argumentin kryesor të prokurorisë, e të cilin e di çdo njeri në Kosovë me sens arsyeje, se UÇK ka pasur strukturë qendrore të konsoliduar apo dhe të aftë për të udhëzuar dhunë dhe krime në mënyrë sistematike”, theksoi Maliqi.

Për drejtorin e Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Lulëzim Peci, dëshmia e Rubinit si dëshmitar i mbrojtjes të ish-presidentit Thaçi, nuk ishte “vetëm një dëshmi e thjeshtë gjyqësore!”

“Kjo dëshmi është edhe një ligjëratë publike e dorës së parë për historinë moderne të Kosovës, lidershipin vizionar të shqiptarëve, luftën e UÇK-se dhe rrugëtimin e saj drejtë pavarësisë!” shkroi Peci në Facebook.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në një postim në Facebook, tha se ndihet mirënjohëse dhe falënderuese për praninë dhe gatishmërinë e Rubinit për të dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Dëshmia e tij e qartë, e drejtë dhe e bazuar në të vërtetën, është një dëshmi tjetër e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, në veçanti gjatë luftës sonë çlirimtare dhe në mbrojtje të vlerave të UÇK-së”, tha ajo.

Kush është James Rubin?

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i pari që hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë, është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.

Në vitin 1999, ai ishte i angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në rolin e dëshmitarit, ai u thirr nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së.

Thaçi vepronte kryesisht si udhëheqës politik, pa kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së, dhe duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak, tha Rubin gjatë dëshmisë.

Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre është konfidenciale.

Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra – në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

Akuzat ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi? Aktakuza u ngarkon atyre përgjegjësi për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme të Kosovës, si dhe në veri të Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, viktimat përfshinin persona të dyshuar se ishin kundër UÇK-së dhe më vonë Qeverisë së përkohshme të Kosovës – në mesin e tyre: anëtarë të komuniteteve serbe, rome dhe ashkali, katolikë, civilë të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe, si dhe shqiptarë që mbështetën parti të tjera ose nuk iu bashkuan UÇK-së.

Dhomat e Specializuara theksojnë se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime.

Të katër të akuzuarit e mohojnë fajësinë.

Mbrojtja thotë se aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të incidenteve.