Simiq: Me pëlqimin e Radoiçiqit kemi mbështetur kërkesat e Kusari-Lilës

Përfaqësuesi i Listës Serbe dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq, pas publikimit të komunikimeve të Mimoza Kusari-Lilës me Milan Radoiçiqin, ka konfirmuar bashkëpunimin mes tyre.

Sipas Simiqit, kryekrimineli Radoiçiq i kishte dhënë udhëzime për të mbështetur disa nisma ligjore të kërkuara nga Kusari-Lila, përfshirë ligjin për pagën minimale dhe emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne si grup parlamentar kemi votuar pro ligjit për pagën minimale dhe kemi mbështetur emërimin e gjyqtarëve me udhëzim nga Radoiçiq, të cilat na i kërkoi Mimoza Kusari-Lila”, ka deklaruar Simiq, duke shtuar se komunikimet mes tij dhe shefes së deputetëve të VV-së kanë vazhduar edhe pas qershorit.
Kusari-Lila pas publikimit të përgjimeve, ka theksuar se kishte nxjerrë nga zyra Simiqin, por ky i fundit e ka mohuar këtë.

“Unë e di se si grup parlamentar kishim udhëzim dhe miratim nga Radoiçiq për të mbështetur ligjin për pagën minimale, që ne si grup parlamentar e bëmë dhe votuam PRO ligjit për pagën minimale në muajin qershor, dhe kishim udhëzim nga Radoiçiq që të mbështesim zgjedhjen e gjyqtarëve të gjykatës kushtetuese që na e kërkoi Mimoza”, thuhet në deklarimin e Simiqit, për “Debat Plus” të RTV Dukagjini.