Mediumi kroat “Veçernji list”, ka shkruar sot për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria. Sipas këtij mediumi, ky vendim i Damaskut zyrtar është një “dush i ftohtë” për presidentin e Serbisë, për shkak të raporteve të mira ekonomike e politike në mes të Sirisë dhe Serbisë.
“Për Aleksandër Vuçiqin, i cili gjatë viteve të fundit ka këmbëngulur në ruajtjen e marrëdhënieve “vëllazërore” me Damaskun, ky hap vjen si një dush i ftohtë. Vendimi i qeverisë siriane për të njohur pavarësinë e Kosovës përfaqëson një nga goditjet më të rënda në politikën e jashtme për Aleksandër Vuqiçin në vitet e fundit. Veçanërisht befasuese është që Siria, nën udhëheqjen e presidentit Bashar al-Assad, për vite me radhë kishte refuzuar ta njihte Kosovën – kryesisht për shkak të marrëdhënieve të ngushta me Moskën dhe ndikimit të presidentit rus Vladimir Putin”, shkruan Veçernji list.
Kjo gazetar shkruan se Serbia, e cila nuk ka vendosur sanksione ndaj Sirisë pavarësisht kërkesave të Perëndimit, ka mbajtur marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike me Damaskun.
“Së bashku me Rusinë dhe Iranin, Siria ishte ndër vendet e rralla që mbështeste fuqishëm integritetin territorial të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye, njohja e sotme e Kosovës nga Damasku shihet në Beograd si tradhti dhe një goditje serioze për politikën e jashtme serbe”, shkruan ajo.
Sipas informacionit zyrtar, njohja e Kosovës nga Siria është formalizuar gjatë një takimi në Riad, ku morën pjesë princi saudit Mohammed bin Salman, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. Gjatë takimit është biseduar për forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve midis tre vendeve.
Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite, në një deklaratë, ka përshëndetur vendimin e qeverisë siriane, duke shprehur shpresën se njohja e Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh midis Sirisë dhe Kosovës, si dhe në prosperitetin e të dy vendeve dhe popujve të tyre. Riad ka theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj mbështetjes së kornizave ndërkombëtare që promovojnë paqen, stabilitetin dhe përparimin në botë.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Sirisë ka konfirmuar se në takimin trepalësh është folur për thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe hapjen e kanaleve të reja të bashkëpunimit. Damasku i ka shprehur falënderim Arabisë Saudite për “rolin konstruktiv në tejkalimin e dallimeve” dhe për ndihmën në krijimin e kushteve që çuan në këtë vendim.
Në deklaratën e saj, Siria thekson: “Siria pret me padurim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe zhvillimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor për arritjen e interesave të përbashkëta.”
“Siria ka sqaruar se vendimi për njohjen e Kosovës buron nga “besimi në të drejtën e popujve për vetëvendosje” dhe nga përkushtimi për “promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë”. Në Damask theksojnë se kjo është pjesë e një politike më të gjerë të hapjes ndaj botës dhe të forcimit të marrëdhënieve miqësore me të gjitha popujt”, shkruan mediumi kroat.



Të tjera
Zëri i lartë i femrës dëmton trurin e mashkullit
Gaza është një pjesë e Palestinës
Në QKUK kryhet një intervenim kirurgjik i rrallë