AME: Në Gjakovë është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve

‘Situata e vërshimeve në Kosovë po përmirësohet’

Sipas të dhënave nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësitë operative në terren, situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, transmeton KosovaPost.

Niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.

Sipas AME/MPB, në Prishtinë dhe rrethinë janë evidentuar vërshime të lokalizuara në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore, por situata vlerësohet e menaxhueshme. Në Prizren, gjatë natës janë raportuar shumë pak intervenime, kryesisht të natyrës teknike.

Në rajonin e Mitrovicës situata është kryesisht e qetë, ndërsa në Mitrovicën e Jugut disa familje janë evakuuar përkohësisht si masë sigurie. Në Pejë janë raportuar dy intervenime në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje, ndërsa në komunat tjera gjendja është stabile. Në Gjakovë dhe Gjilan situata paraqitet e qetë dhe nën kontroll, me rënie të nivelit të ujit në lumenj.

Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në gjithë vendin mbeten të mobilizuara për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, ndërsa Sistemi i Komunikimit Emergjent 112 është në monitorim dhe koordinim të vazhdueshëm të situatës 24/7.

Ndërkohë, reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa zona, ndërsa disa rrugë mbeten të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Qytetarët janë apeluar për kujdes të shtuar.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent thekson se përveç reagimit me forca operative në mbarë vendin, ka mbështetur KEK-un dhe KOSTT-in me pompa thithëse me kapacitet të lartë për largimin e ujit nga objektet e prekura, të cilat janë ende në funksion sipas nevojës.

“Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë për reagim dhe koordinim, ndërsa situata vazhdon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme 24/7 nga sistemi i komunikimit emergjent 112”, përfundon njoftimi.