Sivjet ushtrimi i përbashkët ushtarak me Kroacinë e Shqipërinë

Sivjet ushtrimi i përbashkët ushtarak me Kroacinë e Shqipërinë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të ketë një ushtrim të përbashkët në mes të tri ushtrive, të Kosovës, të Shqipërisë e të Kroacisë, që do të realizohet në Kroaci.

Për takimin që pati me homologët nga Shqipëria dhe Kroacia në Konferencën e Sigurisë në Munih, Maqedonci ka thënë se janë diskutuar shumë fusha ku do të vazhdohet bashkëpunimi.

Ai ka bërë të ditur në një intervistë për RTK-në se në takimin që kanë pasur shefat e mbrojtjes para disa ditësh në Shkodër është dakorduar që ushtrimi i parë i përbashkët të mbahet së shpejti në Kroaci.

Ka thënë se është diskutuar edhe për mundësitë e bashkëinvestimit në bashkëprodhim për fushën e mbrojtjes.

“Përveç tjerash, diskutuam edhe për mundësitë për bashkëinvestime në bashkëprodhim në fushën e mbrojtjes, pra së bashku të tri vendet po bashkëpunojnë për të vendosur industrinë e mbrojtjes si një aset të përbashkët për tri vendet. Ideja është që të shikohen mundësitë për bashkëpunim për bashkëprodhim në shumë fusha, por kryesisht të pajisjeve ushtarake, të municioneve, por edhe pse jo të automjeteve dhe sistemeve të tjera të armatimit”, ka thënë ai.