Ministri i Punëve të Brendshme, të Shqipërisë, Besfort Lamallari, deklaroi se nuk ka asnjë arsye për shqetësim lidhur me një sulm të mundshëm nga Irani në Shqipëri.
Duke i kthyer përgjigje debateve në Kuvend si dhe për të qartësuar opinion publik, Lamallari sqaroi se njoftimi i Ambasadës Amerikane ishte pjesë e praktikës së rregullt të saj për informimin e qytetarëve amerikanë në të gjithë botën dhe nuk lidhet me një situatë konkrete rreziku në Shqipëri.
“Fakti i parë, jo më larg se mbrëmë, kam kërkuar strukturave të policisë, antiterrorit, sigurisë publike dhe policisë kriminale të jenë në komunikim me zyrën e sigurisë së Ambasadës Amerikane, ku u konfirmua se nuk ka asnjë informacion konkret, qoftë edhe nga inteligjenca, për një situatë rreziku real. Ky njoftim është në vazhdën e njoftimeve që bëhen në të gjithë botën për sigurinë e qytetarëve amerikanë. Së dyti, policia ka marrë masa prej kohësh për shtimin e sigurisë, jo vetëm për shkak të publikimit të djeshëm, por bazuar në zhvillimet ndërkombëtare. Strukturat e antiterrorit janë të angazhuara dhe në komunikim të vazhdueshëm me të paktën dy ambasada në vend. Shqipëria mbetet një vend i sigurt”, tha Lamallari.
Ministri theksoi se Policia e Shtetit ka një plan veprimi të detajuar për çdo strukturë përgjegjëse dhe se masat e sigurisë janë të shtuara prej kohësh, duke garantuar stabilitetin dhe sigurinë e vendit.
Një ditë më parë Ambasada Amerikane paralajmëroi qytetarët amerikanë në Shqipëri dhe në mbarë botën për një rrezik të shtuar nga grupet e lidhura me Iranin, si pasojë e konfliktit aktual në Lindjen e Mesme.
Sipas alertit të sigurisë, grupet e mbështetura nga Irani mund të synojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.



Të tjera
Shëroni muskujt e lënduar
Kosova ndoshta humbi, por fitoi respekt ndërkombëtar
Shpërndarja e Kuvendit nuk mund të përdoret si mjet për të tejkaluar vështirësitë politike