S’ka konstituim të Kuvendit as në përpjekjen e nëntë

Memli Krasniqi: Albulena Haxhiu nuk kalon, pikë

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi është shprehur i shqetësuar me insistimin e Vetëvendosjes që Albulena Haxhiu të votohet për kryeparlamentare të Kuvendit.

Ai shprehu madje keqardhje sesi u propozua votimi I fshehtë kur ka vetëm një kandidat.

”Ata shkuan sot edhe bënë shkelje të hapur kushtetuese. Absolutisht e paligjshme dhe jokushtetuese. Po më vjen keq në çfarë pozite po e vendosin Avni Deharin veç po e përdorin”.

”Po më vjen keq se për Albin Kurtin më e rëndësishme është Albulena Haxhiu se Kosova”.

”Është e turpshme, e pahijshme, është fyese për qytetarët që e kanë votuar”.

”Ka kuptim votimi i fshehtë kur janë dy kandidatë, por në këtë situatë jo”.

”Edhe këta janë duke e kuptu që janë ka bohen horë”.

..Nuk kalon Albulena Haxhiu, e din Kurti – secili deputet, secili votues i Albin Kurtit. Nëse nuk e dijnë ua tregoj: Nuk kalon Albulena Haxhiu, pikë…

Bajrami (LDK): Asnjëherë në histori të Kosovë nuk u propozua zgjedhja e kryetarit të Kuvendit me vota të fshehta

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, ka thënë se është e papranueshme që të bëhet një votim i fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në një paraqitje për media, ajo ka thënë se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës.

Të shtunën vazhdon seanca

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin dështoi dhe seanca e radhës u caktua më 3 maj.

S’ka konstituim të Kuvendit as në përpjekjen e nëntë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të enjten, në përpjekjen e nëntë, pasi nuk kaloi propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

Ndryshe nga herët e kaluara, nuk u propozua kandidati për kryetar të Kuvendit nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Votimi i fshehtë refuzohet edhe nga AAK dhe Lista Serbe

Votimin e fshehtë e ka refuzuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe Lista Serbe.

PDK e LDK refuzojnë votimin e fshehtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij refuzon mënyrën e votimit për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetes Hykmete Bajrami, ka refuzuar pjesëmarrjen në votimin e fshehtë.

Si PDK, ashtu edhe LDK e kanë cilësuar të paligjshme ndërrimin e formës së votimit.

Kërkohet votimi i fshehtë

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Ai ka propozuar që votimi të kryhet “me fletvotime fizike”.

Kadrijaj: Nuk kemi ndryshuar qëndrim për Haxhiun, VV po e bllokon konstituimin e Kuvendit

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk kanë ndryshuar as sot qëndrim për mosvotimin e Albulena Haxhiut, për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Në një paraqitje para mediave, ajo ka theksuar se bllokuese e situatës së tanishme që është vendi për mosformim të institucioneve të reja shkak është Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne i mbajmë qëndrimet e njëjta, nuk kemi ndryshuar qëndrim, nuk kemi votë për këtë qeveri edhe për kryekuvendarin, për zhbllokimin e kësaj situate i kemi propozuar dy emra, nuk kanë dashtë konsensus”.

“Opinioni i gjerë duhet ta dijë se bllokuese e konstituimit të Kuvendit është Lëvizja Vetëvendosje”, u shpreh Kadrijaj.

Zemaj: E njohim Kurtin, nuk paragjykojmë

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar para seancës së sotme që erdhi pas takimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi që përfundoi pa marrëveshje.

“E njohim Kurtin, i kemi 20 vjet këtu jetë politike me të, prej gurëve, molotovit, gazit deri te asnjë fjalë e mbajtur, nuk kemi çka me paragjykuar”, tha ai.

Limaj: Konstituimi i Kuvendit vështirë të bëhet pa marrëveshje politike

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se konstituimi i Kuvendit të Kosovës është “i vështirë të bëhet pa marrëveshje politike koalicioni, që përcakton shumicën parlamentare”.

“Ajo shumicë zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë”, është shprehur ai para gazetarëve.

Limaj ka thënë se një “marrëveshje politike duhet të ndërtohet para futjes në Kuvend”.

“Po pres dhe po besoj që kjo shumë shpejt do të ndodhë”, ka deklaruar ai.