“Skenari parazgjedhor: Si po përgatitet opozita për sfidën ndaj LVV-së?”

Të hënën është takuar Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiu, dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Edhe pse Abdixhiu dhe Limaj nuk kanë dhënë detaje për qëllimin e këtij takimi, në opinionin publik është përfolur për një koalicion të mundshëm parazgjedhor.

Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vendos të bëjë koalicion parazgjedhor me Nismën, këto dy parti mund të dalin së bashku si forca e dytë më e madhe politike në vend.

Por lind pyetja: a mund të ndodhë një afrim i ngjashëm mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)?

Koalicioni fitues është ai që punon për popullin dhe shtetin e Kosovës

Veprimtari Agim Aliçkaj, në një prononcim ka deklaruar se pas mosvotimit të qeverisë së propozuar nga Kurti, opsioni i vetëm i mbetur është mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Image

Veprimtari Agim Aliçkaj

Ai ka paralajmëruar se çdo përpjekje e partive opozitare për të krijuar qeveri me Listën Serbe do të dështojë dhe do të dënohet nga populli, pasi përfshirja e saj në qeveri do të nënkuptonte rikthimin e ndikimit serb në Kosovë

“Pas mosvotimit të qeverisë së propozuar nga Kryeministri Albin Kurti, duket se e vetmja rrugë e mbetur për formimin e qeverisë është ajo e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Arsyeja është shumë e thjeshtë dhe e kuptueshme: përfshirja e Listës Serbe në qeveri do të thotë kthimi i pushtuesit serb në Kosovë. Lista Serbe duhet ta kuptojë se ajo as nuk e meriton, as nuk mund të marrë pjesë në qeverisje pa e njohur shtetin e vet — Republikën e Kosovës dhe pa e ndalur veprimtarinë e saj armiqësore ndaj saj. Ajo duhet ose të ndryshojë, ose të zhduket. Pakica serbe i ka të hapura rrugët për të marrë pjesë në jetën demokratike përmes partive të tjera.

Lufta për pushtet është interesante, por shumë e ndërlikuar dhe e paparashikueshme. Ndonjëherë ajo bashkon edhe kundërshtarët më të mëdhenj politikë”, ka thënë ai.

Tutje, Aliçkaj ka theksuar se koalicioni LDK–NISMA mund t’i rendisë të dytët, por edhe nëse PDK bashkohet me AAK-në, do të mbeten të tretët, pasi asnjë nga këto blloqe nuk mund të fitojë.

Bashkimi i të gjitha këtyre partive në një front të vetëm parazgjedhor për të dalë të parat, është jashtëzakonisht i vështirë për shkak të përçarjeve të thella brenda vetë PDK-së e LDK-së, si dhe ndërmjet AAK-së e NISMËS. Pastaj, nuk është e lehtë të krijohet një qeveri e qëndrueshme e përbërë nga kaq shumë parti kaq të ndryshme — do të ishte si një “sallatë e përzier.”

Këto parti nuk e kanë të qartë se problemi i tyre nuk qëndron në mungesën e koalicioneve, por në qasjen e tyre, në programet dhe në propozimet e tyre konkrete përballë armikut serb, në zhvillimin e demokracisë dhe në forcimin e shtetit.

Pas disfatës së tyre në vitin 2021, pritej që këto parti ta mësonin mësimin dhe të ndryshonin — të bëheshin opozitë konstruktive. Për fat të keq, ato janë shndërruar në parti ekstreme e jo konstruktive. Kanë zgjedhur rrugën e kritikave të pabazuara, të fyerjeve dhe të rrëzimit të çdo arritjeje të qeverisë së udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti.

Aliçkaj ka parashikuar se në zgjedhje të reja, humbësit më të mëdhenj do të jenë LDK dhe NISMA, PDK mund të bjerë pak, ndërsa Vetëvendosje me Guxo e Alternativa do të fitojnë mbi 50% të votave.

 “Disa përfaqësues të partive opozitare madje kanë deklaruar publikisht se, për hir të aktorëve ndërkombëtarë, nëse vijnë në pushtet, do ta kthejnë veriun nën kontrollin e Serbisë. Llogaritjet e tyre se politikanë apo diplomatë ndërkombëtarë — të ndikuar nga Serbia — si Edi Rama, Richard Grenell, Christopher Hill e të tjerë, do t’i ndihmojnë të marrin pushtetin, janë gabim katastrofik.

Ata ende nuk e kuptojnë se në Kosovë fjala e parë dhe e fundit i përket popullit. Janë mashtruar nga përkrahja e militantëve të tyre, e mediave proserbe dhe e urrejtësve të Kryeministrit Kurti. Nuk e shohin se shumica e votuesve të pavarur — veçanërisht intelektualët më të arsimuar të kombit — nuk janë me ta.

Prandaj i humbën edhe zgjedhjet parlamentare të muajit shkurt të këtij viti.

Jam i bindur se nëse mbahen tani zgjedhje të reja parlamentare, humbësit më të mëdhenj do të jenë LDK dhe NISMA, për shkak të refuzimit të tyre për të hyrë në koalicion me Vetëvendosjen. PDK mund të humbë pak për shkak të përçarjeve të brendshme ose të mbetet në të njëjtin nivel, ndërsa Vetëvendosje, bashkë me Guxo dhe Alternativa, do të fitojnë mbi 50% të votave”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, opozita duhet të ndryshojë thellësisht para se të mendojë për pushtetin, ndoshta vetëm pas tetë vjetësh.

Ai ka theksuar se propaganda e saj për “përçarje me miqtë ndërkombëtarë” nuk bind më askënd, pasi SHBA dhe vendet evropiane preferojnë liderë të fortë e të përkushtuar ndaj vendit.

 “E vetmja shpresë për ruajtjen dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe për mbajtjen nën kontroll të Listës Serbe duke e detyruar ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është që vendi të vazhdojë të udhëhiqet nga liderë të dëshmuar me përvojë dhe aftësi të pamohueshme: Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe ish-Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Duhet të shpresojmë që këta të tre, bashkë me shumë bashkëpunëtorë të tyre të aftë, do të gjejnë mënyrën për të vazhduar bashkëpunimin, për të fituar zgjedhjet e ardhshme dhe për të ruajtur arritjet e tyre të përbashkëta në ndërtimin e shtetit.

Opozita duhet të ndryshojë rrënjësisht, pastaj të mendojë dhe të përgatitet për mundësinë e fitimit të zgjedhjeve pas këtij mandati, ose ndoshta vetëm pas tetë vjetësh.

Manipulimet e opozitës për të ashtuquajturat “përçarje me miqtë ndërkombëtarë dhe me Amerikën” nuk e mashtrojnë më shumicën e popullit të Kosovës. Populli e kupton se si Amerika, ashtu edhe shtetet kryesore evropiane, pavarësisht interesave të përkohshme gjeopolitike, në fund të fundit preferojnë të punojnë me udhëheqës të fortë dhe të përkushtuar ndaj vendit të tyre”, ka përmbyllur Aliçkaj.

Qarri paralajmëron: Frika e opozitës nga Kurti po e shkatërron LDK-në

Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri ka kritikuar LDK-në aktuale, duke theksuar se partia nuk ka as liderin e duhur, as vizion për fitoren në zgjedhje.

Ai ka vënë re rënien e pozicionit të LDK-së dhe se një marrëveshje me Nismën, nuk i sjell dobi, përkundrazi e dëmton partinë.

Image

Gani Qarri

 “Se LDK aktuale, nuk ka as liderin e duhur në krye, as vizion parimor të fitores për zgjedhjet parlamentare, flet vet pozita ku ajo ka rënë si parti, si dhe vet marrëveshja e varfër, për të mos thënë edhe tërësisht amorfe, me një segment edhe më të përhumbur si Nisma, që jo vetëm se nuk i sjellë ndonjë dobi, por përveç marrjes nën mbrojtje të Nismës, nën koston e LDK-së, për të mos rënë nën pragun zgjedhor edhe e dëmton LDK-në dhe me një koalicion të tillë opozitar, Abdixhiku i jep të kuptojë publikisht edhe Elektoratit të LDK-së, se nën udhëheqjen aktuale, LDK nuk është e interesuar ti fitojë zgjedhjet, por vetëm për të qëndruar në opozitë.

Kjo praktikë e varfër manovruese tregon paraprakisht edhe mjerimin e thellë orientues, për të mos thënë erdhe ç ‘orientimin total politik, mungesën e madhe të një lideri të njëmendtë partiak e vizionar dhe teposhtën e pakthyeshme që nën udhëheqjen e një tekanjozi si Abdixhiku, ka marrë ish partia më e madhe shtet formuese-LDK famëmadhe e Dr. Ibrahim Rugovës”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Qarri ka kritikuar LDK-në, duke thënë se partia ka nevojë për një lider të vendosur, vizion dhe orientim parimor e pragmatik.

Qarri ka shtuar se mbështetja dhe glorifikimi i dhunës ndaj qytetarëve nga disa bashkë partiake, siç ndodhi me deputetin Armend Zemajn, dhe heshtja e Abdixhikut, dëmton imazhin e partisë dhe ul besimin e votuesve.

“Në fakt LDK, para së gjithash, ka nevojë për lider të njëmendtë politik, vizion dhe një orientim vërtet parimor e pragmatik e jo, sikur mos të mjaftonte mungesa e lideri vizionar, nën udhëheqjen e amortizuar politikisht, LDK e cila ka trashëguar vetëm emrin e partisë, por jo edhe urtësinë e largpamësinë e Dr. Ibrahim Rugovës, të lidh koalicion edhe me një njeri që është në Listën e Zezë të SHBA-ve, si z. Fatmir Limaj.

Në këtë mënyrë, është plotësisht e qartë se LDK nuk mund të fitojë asnjë palë zgjedhje dhe as të ngritët më lartë në ranglistën e partive pjesëmarrëse.

Me një udhëheqës i cili mbështetë e lavdëron bashkëpartiak që dalin e rrahin njerëzit në rrugë dhe sikur mos të mjaftonte as kjo, lidhë edhe një koalicion, përveçse të bezdisshëm edhe të frikshëm parazgjedhor, me të cilin jo vetëm që nuk ka shans të dal si forca e dytë, por duke pasur parasysh rrahjen e qytetarit para kamerave televizive, në sheshin qendror të kryeqytetit nga Armend Zemaj dhe “duartrokitjet” e Abdixhiku-t, i cili si i pari i partisë, del edhe vet hapur në favor të dhunës, në vend të kërkim faljes ndaj qytetarit të grushtuar dhe gjithë QYTETARISË kosovare, besoj se në sytë e votuesve të shquar, janë grumbulluar aq shumë argumente negative, sa që nëse zgjedhjet parlamentare mbahen para fundit të vitit, LDK të rrezikojë edhe vet, të bie shumë afër pragut zgjedhor”, ka potencuar ai.

– Qarri vëren se koalicionet aktuale për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë duken të pazakonshme dhe ka paralajmëruuar se një koalicion i tillë mund ta ulë LDK-në edhe më poshtë në renditjen e votuesve.

Sa i përket PDK-së, ajo ka refuzuar një koalicion me Limajn, për shkak se ai ndodhet në Listën e Zezë të SHBA-ve, ndërsa LDK-ja e ka përfshirë Limajn për të kaluar pragun zgjedhor.

“Ndryshe kombinimet paraprake, që po ndodhin aktualisht për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të parapara të caktohen së shpejti në Kosovë, duken aq jo-konvencionale sa do të mbahen mend gjatë për koalicionet e habitshme, në mesin e të cilave më i pazakonshmi, përsëri duket të jetë, ai ndërmjet LDK-së dhe Nismas, që ndoshta do të bëhet njëri ndër shkaqet kryesore sa ta lëshojnë këtë parti edhe më poshtë, në ranglistën e votimeve të ardhshme.

Sa i takon PDK-së, pikërisht shkaku i asaj se Limaj gjendet në Listën e Zezë të SHBA-ve ajo ka refuzuar ta ketë Limajn dhe grupimin e tij polik në koalicion, të cilën e gjeti Lumiri ta fus nën sqetullën e LDK-së, që Limaj ta kalojë pragun zgjedhor”, ka shtuar ai.

Tutje, Qarri ka shpjeguar se PDK-ja ka pasur më parë bashkëpunime me kreun e AAK-së Ramush Haradinajn.

“Ndërsa me Ramush Haradinajn, PDK kishte koalicione e bashkëpunim edhe në të kaluarën, madje më 2017, PDK në krye me Kadri Veselin, katapultoi Ramush Haradinajn edhe në postin e kryeministrit të vendit, duke krijuar qeverinë e njohur të PAN-it, së bashku me pakicat vetëm e vetëm që Ramush Haradinaj ta nënshkruante marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, duke ia falur këtij shteti fqinj edhe Kullën e Çakorrin me mbi 8200 hektar tokë autoktone të Kosovës, si dhe ti lejonte aventurat e Thaçit & Co, për propagandimin e ndarjes së Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, në kryeqytetet evropiane e botërore duke i paguar kompanitë e huaja si ajo franceze Majorelle & PR Event me parat e taksapaguesve të varfër të Kosovës”, ka shtuar ai.

Në fund, Qarri ka theksuar se afrimi i opozitës mund të shihet si shenjë frike nga autoriteti politik i Albin Kurtit, i cili mbetet favorit për zgjedhjet e ardhshme.

“Një afrim i tillë brenda opozitës, me të drejtë dhe arsye mund të interpretohet si shenjë frike ndaj autoritetit politik që gëzon Albin Kurti te shqiptarët kudo, brenda dhe jashtë Kosovës, i cili, sipas të gjitha gjasave, mbetet favorit për të fituar edhe zgjedhjet e ardhshme sidomos pas zhvillimeve të fundit edhe nëse në fushatë përball tij, do të qëndronin dy blloqet opozitare, të cilave votuesit e shquar besoj se do tu hakmerren ngjashëm, si në kohën e rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ritchard Grenell, duke krijuar qeveri kundërligjore pikërisht me votën e një deputeti minoritar të NISMa-s, së Fatmir Limaj-t, si Etem Arifi  të dënuar për keqpërdorim dhe korrupsion me 1 vit e 3 muaj burg, me vendim të plotfuqishëm gjyqësor”, ka përfunduar Qarri.