Skenari për formimin e qeverisë: VV bëhet bashkë me Nismën, por ky është qëllimi i opozitës

Tani kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, asnjëra nga partitë politike nuk ka fituar shumicën për ta formuar e vetme Qeverinë.

Në bazë të rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5 deputetë, si dhe Nisma Socialdemokrate 3 deputetë, e cila ishte në koalicion me AAK-në. Kurse të tjerët, do t’i takojnë pakicave minoritare në Kosovë.

E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, ky rezultat zgjedhor në Kosovë pa dyshim që ka prodhuar një situatë mjaftë komplekse.

“Opozita synon që të udhëheqë qeverinë pavarësisht se nuk ka fituar zgjedhjet, derisa harrojnë se është një parti që ka fituar zgjedhjet dhe i takon asaj të formojë qeverinë. Por, numrat janë të pamjaftueshëm që qeveria të formohet pa koalicion, çka e bën situatën mjaft komplekse”, shprehet Mehmeti.

“VV mundet me pakicat jo serbe dhe me tre deputetë të Nismës të formojë qeverinë, edhe pse ndaj Limajt po bëhet presion i madh publik nga PDK dhe AAK që mos të bëjë koalicion me VV. Opozita synon ta bllokojë Kurtin e pastaj ta fajësojë që po e lë vendin pa qeveri për tu shfaqur pastaj si shpëtimtar i gjendjes e të thotë se nuk mund ta lë vendin pa qeveri”, thekson Mehmeti.

“Dyshoj shumë te LDK që do të ndryshojë qëndrim e mund të bëhet me opozitën, diçka që do i kushtojë shumë nëse bën këtë veprim. Ka shumë skenarë por së pari e ka fjalën VV me Limajn si çelës të ngërçit që mund të krijohet”, shton Mehmeti