Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ka mirëpritur angazhimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin gradual të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet.
Pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai tha se në bisedë është diskutuar për hapat që po ndërmerren nga institucionet përkatëse për zbatimin e këtyre ligjeve, si dhe për informimin e qytetarëve që mund të preken nga to.
Sørensen theksoi se zbatimi gradual i këtyre ligjeve do të mundësojë zhvillimin e një fushate informuese gjithëpërfshirëse për qytetarët.
“Patëm një takim të mirë këtë mëngjes ku mirëpritëm angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj të dhjetorit për të zbatuar gradualisht Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet, gjë që mundëson një fushatë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme informuese për ata që preken”, tha Sorensen.
Ai shtoi se gjatë këtij procesi është kërkuar që të zhvillohen konsultime të strukturuara me përfaqësues të komuniteteve në Kosovë, në mënyrë që të sigurohet mbështetja e tyre dhe të shmangen problemet e mundshme gjatë zbatimit të ligjeve.
“Ne këmbëngulëm në konsultime të strukturuara gjatë gjithë procesit me përfaqësuesit e komunitetit të Kosovës për të siguruar mbështetjen e tyre. Ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me mua si përfaqësues i BE-së për dialogun dhe me procesin që unë ndjek në kuadër të tij. Në këtë kontekst, e konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, tha ai mes tjerash.



Të tjera
Gjithnjë e më shumë po sëmuremi emocionalisht, fajtor kryesor teknologjia
Marrëveshjet për Kosovën, hap i rëndësishëm për qytetarët
Marta Kos përballet me akuza për bashkëpunim me UDB-në