Sot në ora 12:00 Kuvendi i LDK-së, vendoset për liderin e partisë!

Sot në ora 12:00 Kuvendi i LDK-së, vendoset për liderin e partisë!

Lidhja Demokratike e Kosovës sot do të mbajë Kuvendin e punës ku pritet që kryetari Lumir Abdixhiku të kërkojë votëbesimin e delegatëve pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kuvendi fillon punimet nga ora 12:00, ndërsa LDK tha se mediat mund të përcjellin fjalën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e pastaj do të lirojnë sallën.

Po ashtu u tha se pas Kuvendit do të ketë deklarim.

Ditë më parë, Abdixhiku ka deklaruar se kjo e shtunë do të vendosë për “drejtimin e shtëpisë sonë”.

“Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe. Koha tani të flasë anëtarësia jonë. Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës”, kishte thënë ai.

Ndërkaq, nënkryetari Avdullah Hoti, ka bërë publike se pas dorëheqjes së Abdixhikut, në Kuvendin e nesërm do të kërkojë besimin e delegatëve për t’i prirë LDK-së.

“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës”, kishte thënë Hoti në njoftimin e tij për kandidim.

Hoti u zotua të marrë “barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë”.

“Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë”.

Dorëheqjen e Abdixhikut nga posti i të parit të partisë e ka kërkuar edhe Hykmete Bajrami, e cila vetë dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares si reflektim për rezultatin zgjedhor dhe po të njëjtën kërkesë ia kishte drejtuar edhe shefit të partisë.

Abdixhiku në natën e zgjedhjeve kishte pranuar se nuk e kishte dërguar partinë në vendin që ka synuar dhe s’e kishte përjashtuar as dorëheqjen si opsion, por kishte thënë se ky vendim do të merrej në Kuvendin që do të mbahet sot.