Spasiq tërhiqet nga gara në Kllokot dhe i bashkohet Listës Serbe, KQZ: Balotazhi mbahet sipas planit

Spasiq tërhiqet nga gara në Kllokot dhe i bashkohet Listës Serbe, KQZ: Balotazhi mbahet sipas planit

Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb”, i është bashkuar Listës Serbe – partisë kundër së cilës kishte garuar në zgjedhjet e fundit komunale.

Në një deklaratë të publikuar nga Lista Serbe, Spasiq ka njoftuar se po tërhiqet nga gara për balotazh dhe se do ta mbështesë kandidatin e kësaj partie në zgjedhjet e 9 nëntorit.

Ai tha se “të gjithë forcën dhe energjinë” do ta vë në shërbim të fitores së Listës Serbe në Kllokot dhe në nivel të Kosovës.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se tërheqja e tij nuk ndikon në procesin zgjedhor, pasi afati ligjor për tërheqje të kandidatëve ka përfunduar më 2 shtator.

KQZ-ja theksoi se raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Kllokotit do të zhvillohet më 9 nëntor me dy kandidatët që morën më shumë vota në raundin e parë.