Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut, të cilët së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në vendimet e ndara, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se katër të akuzuarit kanë kryer krime që bien në juridiksionin e DHSK-së.
Sipas vendimeve të marra më 3 tetor 2025, për katër të akuzuarit është konstatuar se ka rrezik qe ata t’i ikin drejtësisë, të pengojnë procedurat ose të kryejnë krime të tjera.
Kur jemi te rreziku i pengimit të procedurave, duke u fokusuar te Thaçi, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se ai pretendohet se ka qenë si pjesë udhëheqëse e tri grupeve me të cilat ka bashkërenduar për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi).
Ngjashëm sikur për Thaçin, edhe për tre të akuzuarit e tjerë është thënë se asnjë masë alternative nuk i zbut rreziqet ekzistuese.
Në vendim thuhet se dorëzania e ofruar nga Kilaj në shumën prej 40 mijë euro, e cila është ofruar edhe në shqyrtimet tjera periodike të paraburgimit, është refuzuar. Kjo, thuhet se ka ndodhur me arsyetimin se mbrojtja nuk ka arritur që të shpjegojë se si një propozim i tillë e zbut ose eliminon rrezikun e arratisjes.
Po ashtu, argumenti i mbrojtjes se Kilaj nuk do e rrezikonte largimin nga familja e të arratiset, sipas gjyqtares së procedurës paraprake, është spekulativ.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DHSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DHSK-së.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Të tjera
Tani është koha e tij, hani rrush çdo ditë – Ja benefitet për trupin
Pas 9 nëntorit trajtojmë çështjet tjera, tani fokusi te fitorja
Vendimet e mëdha s’janë asnjëherë të lehta, interesi i qytetarëve mbi gjithçka