Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka uruar sot konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke i dëshiruar suksese institucioneve të dala nga Legjislatura e X-të, përcjell KosovaPost.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo shprehu urimet për Kuvendin dhe Qeverinë e re të Kosovës.
“Rrugëtim të mbarë dhe shumë suksese Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën e X-të dhe Qeverisë së re!”, ka shkruar Spiropali.
Ajo përcolli urime të përzemërta për kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për kryeministrin Albin Kurti dhe për zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, duke theksuar përgjegjësinë e tyre në shërbim të qytetarëve dhe në forcimin e mëtejshëm të shtetit demokratik të Kosovës.
Spiropali theksoi se Kosova është pjesë e pandashme e zemrës kombëtare dhe e horizontit të përbashkët evropian, duke shtuar se Shqipëria do të qëndrojë pranë Kosovës me mbështetje të sinqertë dhe të palëkundur për sigurinë, institucionet dhe rrugëtimin drejt familjes euroatlantike.
Në fund, ajo uroi që ky kapitull i ri institucional të jetë në shërbim të paqes, zhvillimit dhe dinjitetit të qytetarëve të Kosovës.



Të tjera
Kurti 3, Qeveri me zëvendëskryeministër me aktakuzë për korrupsion
Spiropali uron Kosovën: Do të qëndrojmë gjithmonë pranë saj në rrugëtimin euroatlantik
Çaji i dafinës me kanellë për rënien e shëndetshme nga pesha