Stërvitja më e madhe e shumëkombëshe e drejtuar nga SHBA, Kosova mirëpret “Defender Europe 2025”

Stërvitja më e madhe e shumëkombëshe e drejtuar nga SHBA, Kosova mirëpret “Defender Europe 2025”

Për të tretën herë që nga viti 2021, Kosova do të jetë mirëpresë stërvitjen ushtarake ndërkombëtare më të madhe të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë – “Defender Europe 2025”.

Përmes këtij ushtrimi, Forca e Sigurisë së Kosovës do të demonstrojë gatishmërinë operacionale dhe aftësinë për ndërveprim ushtarak me forcat partnere të rajonit, përfshirë SHBA-në, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Stërvitja, e cila zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, do të përfshijë rreth 25 mijë trupa nga 29 shtete anëtare dhe partnere të NATO-s, duke e bërë atë operacionin më të madh shumëkombësh të këtij lloji të drejtuar nga SHBA.

Nga sot e deri më 9 qershor, në kuadër të realizimit të “Defender Europe 25”, do të ketë lëvizje të konvojeve ushtarake nga bazat e FSK-së drejt rajonit të Gjakovës, konkretisht në Aeroportin e Gjakovës dhe në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës.

Ministria e Mbrojtjes bën thirrje për mirëkuptim nga qytetarët gjatë kësaj periudhe, për shkak të intensifikimit të aktiviteteve ushtarake në terren.