Ushtarët gjermanë do të qëndrojnë edhe një vit në Kosovë

Stërvitjet e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën nuk përbëjnë kërcënim

Gjatë ditës së mërkurë, qytetarë nga disa fshatra të Gjilanit shprehën shqetësim se ushtarë serbë po kryenin stërvitje në afërsi të kufirit me Kosovën.

KFOR bëri të ditur për Telegrafin se aktiviteti i Forcave të Armatosura Serbe ishte një stërvitje e planifikuar, që përfshinte parashutistë të vendosur nga një helikopter në fshatin Muhovc.

Sipas tyre ky aktivitet u zhvillua brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon.

“Misioni KFOR i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën përgjatë Vijës Kufitare Administrative dhe në të gjithë Kosovën, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm dhe koordinim efektiv me autoritetet lokale të sigurisë dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe”, theksohet në përgjigjen e KFOR-it.

Më herët, kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, ka thënë se stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në afërsi të Gjilanit, janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët.

Në një reagim në Facebook ai ka thënë se prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Si Kryetar i Komunës së Gjilanit, shpreh shqetësimin tim të thellë për këto zhvillime dhe kërkoj nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Hyseni në Facebook.