Kurti dhe Vuçiq nesër takohen me Kallasin

Strategjia amerikane e mbylli kapitullin e rrezikshëm të ndryshimit të kufijve, Shehu ka një mesazh për zhvillimet e fundit

Publicisti Nexhmedin Shehu ka vlerësuar se Strategjia e re e Shteteve të Bashkuara paraqet një kornizë të qartë politike dhe të sigurisë, nga e cila Kosova ka përfituar maksimalisht, si në planin politik ashtu edhe në atë të stabilitetit shtetëror.

Në një deklaratë për “Bota sot”, Shehu thekson se kjo Strategji do të analizohet nga shumë këndvështrime dhe nga vende të ndryshme të botës, me vlerësime afirmuese apo kritike, varësisht nga interesat gjeopolitike. Sipas tij, për Kosovën nuk ka vend për pritshmëri të reja, pasi vendi tashmë ka marrë më të mirën e mundshme nga ky dokument strategjik.

“Strategjia e Shteteve të Bashkuara, pa asnjë dyshim, do të analizohet nga shumë këndvështrime dhe nga pothuajse të gjitha vendet e botës. Do të ketë vlerësime të ndryshme – disa afirmuese, disa kritike – varësisht nga interesat dhe pozicionimet gjeopolitike të secilit shtet. (Shpresoj vetëm që të mos na e “analizojnë” disa nga analistët tanë vendorë, sepse rrezikojnë ta deformojnë kuptimin e saj 😄). Sa i përket nesh, mund të thuhet se jo vetëm që nuk kemi pasur arsye të presim më shumë, por realisht kemi marrë maksimumin e mundshëm nga kjo Strategji, si në planin politik, ashtu edhe në atë të sigurisë dhe stabilitetit shtetëror.”, ka thënë Shehu për gazetën “Bota sot”.

Ai veçon si parim kyç për Kosovën dhe rajonin parimin e mosndryshimit të kufijve, veçanërisht ndalimin e ndryshimit të tyre mbi baza etnike.

“Unë do të ndalem vetëm në njërin prej parimeve themelore që ajo shpall, por që ka rëndësi kyçe për Kosovën dhe rajonin: parimin e mosndryshimit të kufijve dhe, në mënyrë të veçantë, mosndryshimit të tyre mbi baza etnike. Ky parim nuk ka vetëm funksion deklarativ ndërkombëtar. Ai përbën bazën e rregullimit të marrëdhënieve ndërmjet shteteve të Ballkanit, por njëkohësisht edhe kornizën normative për organizimin e brendshëm të vetë shteteve. Kjo do të thotë se etniciteti nuk mund dhe nuk duhet të jetë kriter rregullues as për territoret, as për institucionet, as për kompetencat politike.”, ka nënviziar ai.

Sipas tij, Strategjia e SHBA-së e bën të qartë se etniciteti nuk duhet të jetë kriter për rregullimin territorial, institucional apo për ndarjen e kompetencave politike.

Ai shprehet se çdo model që lidh organizimin territorial me përkatësinë etnike, krijon struktura politike paralele apo synon institucionalizimin e dallimeve etnike brenda rendit kushtetues, bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këtë parim.

“Në këtë kontekst, çdo model që: • e lidh organizimin territorial me përkatësinë etnike, • krijon struktura politike paralele mbi baza kombëtare, • apo synon institucionalizimin e dallimeve etnike brenda rendit kushtetues, bie ndesh drejtpërdrejt me parimin që e proklamon Strategjia e ShBA-së”, ka potencuar ai.

Në këtë kontekst, Shehu vlerëson se ndarjet komunale të bazuara në etnicitet, si dhe asociacionet apo bashkësitë e ndërtuara mbi përkatësi kombëtare, nuk mund të konsiderohen më si zgjidhje afatgjata politike.

“Kjo nënkupton, konkretisht, se ndarjet komunale të determinuara nga etniciteti, si dhe asociacionet apo bashkësitë e ndërtuara mbi përkatësi kombëtare, nuk mund të trajtohen më si zgjidhje afatgjata politike. Ato mund të kenë qenë produkte të rrethanave të caktuara historike, por sot janë në kundërshtim me orientimin strategjik që synon stabilitet funksional dhe shtetësi qytetare”, ka shtuar Shehu.

Në përfundim, Shehu nënvizon se Kosova duhet të ndërmarrë hapa të qartë drejt rishikimit të qasjeve institucionale që tolerojnë ndarje etnike, forcimit të parimit të qytetarisë si bazë e vetme e të drejtave politike dhe administrative, si dhe harmonizimit të politikave të brendshme me parimin e mosetnizimit të shtetit.

Sipas tij, ky proces mund të jetë i vështirë dhe jo i shpejtë, por është i pashmangshëm nëse Kosova synon përputhje reale me Strategjinë e SHBA-së dhe shmangien e modeleve të tejkaluara që tashmë konsiderohen problematike nga arkitektura strategjike ndërkombëtare.