Kremlini: Strategjia e sigurisë kombëtare e SHBA-së është “kryesisht në përputhje” me vizionin rus

Strategjia e sigurisë kombëtare e SHBA-së është “kryesisht në përputhje” me vizionin rus

Kremlini ka thënë se dokumenti i ri i strategjisë së sigurisë kombëtare të administratës amerikane është “kryesisht në përputhje” me vizionin e Rusisë.

“Rregullimet që po shohim, do të thoja, janë kryesisht në përputhje me vizionin tonë”, i tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gazetarit rus Pavel Zarubin në një intervistë, një fragment i së cilës u nda në Telegram të dielën, të cilin e citon Anadolu.

Peskov shprehu shpresën e Moskës se kjo mund të jetë një “garanci modeste” se ata do të jenë në gjendje të vazhdojnë punën e përbashkët konstruktive për gjetjen e një zgjidhjeje në Ukrainë.

Ai argumentoi më tej se pozicioni politik i brendshëm i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, është i fortë, gjë që i lejon atij të përshtasë strategjinë e sigurisë kombëtare të vendit sipas vizionit të tij.

Peskov tha gjithashtu se Rusia mbështet gjuhën në dokument, i cili sipas tij përmbante deklarata “kundër konfrontimit dhe në favor të dialogut dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira”.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare (NNS), e publikuar të premten, kritikoi “pritjet jorealiste” të zyrtarëve evropianë për luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se SHBA-të kanë një “interes thelbësor” në përfundimin e konfliktit, shkruan Al Jazeera.

NNS fajësoi, pa dhënë shembuj, “përmbysjen e proceseve demokratike” për atë që e përshkroi si mosreagim të disa qeverive evropiane ndaj dëshirës së popujve të tyre për paqe.

Dokumenti sugjeroi gjithashtu që SHBA-të mund të tërheqin ombrellën e sigurisë që e kanë mbajtur prej kohësh mbi kontinentin e vjetër.

Në vend të kësaj ajo propozon që Evropa të veprojë si një grup kombesh sovrane të bashkuara, dhe të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e vet.