Pas fitores së ekipit shqiptar në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, emocionet u ngritën lart të shtunën në mbrëmje. Një familje shqiptare u sulmua gjatë kalimit nëpër Schwamendingen, raporton gazeta zvicerane blick.ch transmeton “Bota sot”
Ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u zhvillua të shtunën mbrëma, përfundoi me një fitore 1:0 për ekipin shqiptar. Në ndeshjen që u luajt në Leskovac të Serbisë nuk u lejuan tifozët mysafirë, ndërsa himni shqiptar u fishkëllye nga të pranishmit.
Në fund, Shqipëria arriti ta siguronte fitoren – dhe kjo shkaktoi zemërim te disa. Këtë e përjetoi, për shembull, një familje shqiptare në Cyrih. Të shtunën mbrëma, Donika J.* po udhëtonte me bashkëshortin dhe vajzën e saj 10-vjeçare nga Wallisellen (ZH) drejt Cyrihut. Për të festuar, ata kishin zbukuruar makinën e tyre Mercedes me flamurin shqiptar.
«Papritmas një i ri vrapoi drejt makinës sonë»
«Papritmas, një i ri vrapoi drejt makinës sonë dhe goditi xhamin e përparmë me një objekt të fortë, ndoshta një zinxhir ose një rrip», i tha J. gazetës Blick, transmeton “Bota sot”.
«Copëzat e xhamit fluturuan deri te sedilja e pasme, ku ishte ulur vajza jonë»
«Copëzat e thyera të xhamit fluturuan madje deri te sedilja e pasme, ku ishte ulur vajza jonë dhjetëvjeçare», tregon më tej nëna. Ngjarja e ka prekur rëndë familjen: «Zhurma ishte aq e fortë, sa u tronditëm të gjithë.»
Disa njoftime për persona që po bënin trazira
J. menjëherë thirri policinë. Policia e qytetit të Cyrihut konfirmoi për Blick se kishte ndërhyrë të shtunën mbrëma në rrugën Ueberlandstrasse. Të paktën një kallëzim ishte bërë për një automjet të dëmtuar.
Nuk ishte hera e parë që policia duhej të ndërhynte për një incident të tillë në këtë rrugë. Qysh në ndeshjen e parë ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në qershor, ishin raportuar disa raste të personave që po bënin trazira në rrugë.
Provokime dhe kaos trafiku pas ndeshjes së futbollit
Përveç kësaj, tifozët që festonin me autokolona shkaktuan pengesa të mëdha në komunikacionin e qytetit. Disa rrugë u mbyllën përkohësisht. «Në total janë shqiptuar rreth 50 gjoba administrative dhe disa persona janë raportuar për shkelje të ndryshme të ligjit mbi komunikacionin rrugor», njoftoi policia e Lucernit të hënën. Edhe në Wil SG pati pengesa në trafik për shkak të shoferëve që po festonin.



Të tjera
Me numrin 116, drejt një fitoreje të madhe
Shaqiri realizon gol në fitoren e Baselit
Shkencëtarët thonë se anoreksia nuk është vetëm problem psikik