Kurti në Samitin e Berlinit: Kosova po përparon më shpejt se rajoni, por kër*cënohet nga agr*esioni serb

Su*lmi te*rrorist në Banjskë nuk mund të injorohet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër, ka thënë se Evropa është e kërcënuar nga autoritarizmi që po rritet. Ai ka theksuar se për t’u përballur me këtë sfidë, nevojitet një ndjenjë e fortë uniteti, mjaftueshëm e qëndrueshme për të përballuar si presionet e jashtme, ashtu edhe dyshimet e brendshme, përcjell KosovaPost.

“Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum”, ka thënë Kurti, njofton zyra e Kryeministrit.

Duke folur për historikun e zgjerimit të BE-së, Kurti vuri në pah se teksa Komisioni Evropian e ndali procesin e zgjerimit në vitin 2014, Berlini mori nismën duke krijuar formatin “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor” përmes Procesit të Berlinit, me qëllim që rajoni ynë të mbahej afër BE-së.

“Sot, kur kemi luftë në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë. Ne kemi qëllime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta, dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO – këto duhen parë si pika të forta”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri në detyrë, më tej foli për situatën në vend gjatë këtyre viteve, duke nënvizuar se përgjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë.

“Kemi pasur një mesatare prej 6% rritje ekonomike dhe asnjëherë më pak se 4%. Para tre muajsh, Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konfliktet, duke njohur kështu qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar”, ka nënvizuar Kurti.

Megjithëkëtë, Kurti ka folur edhe për provokimet e vazhdueshme nga ana e Serbisë me theks të veçantë sulmi terrorist në Banjskë, duke shtuar se pikërisht këto sfida po ndikojnë që , përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior.

“Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, sa i përket zhvillimit ekonomik, Kurti vuri në dukje se Kosova mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër, si korniza për zhvillim të qëndrueshëm, derisa shtoi se nevojitet më shumë financim për të mbyllur hendekun e konvergjencës në projektet kryesore infrastrukturore, përfshirë tranzicionin e gjelbër, si dhe për të ulur pabarazinë me më shumë solidaritet.

“Që nga samiti i fundit, kemi nënshkruar një marrëveshje të re tregtare me vendet anëtare të EFTA-s, në janar të këtij viti gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, që përfshin mallra dhe shërbime, duke zgjeruar kështu tregjet tona. Në kryesimin tonë të parë të drejtpërdrejtë të CEFTA-s, e rikthyem funksionalitetin e saj duke zgjedhur një drejtor të ri, pas më shumë se dy vitesh bllokim”, ka theksuar Kurti.