Vetëvendosje shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për Kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit

Supremja hedh poshtë ankesat e VV-së për votimin me asistencë në Malishevë dhe Han të Elezit

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur sot lidhur me dy ankesa të paraqitura nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të cilat kishin të bënin me pretendime për parregullësi gjatë ditës së votimit në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, kolegjet gjyqësore të Gjykatës Supreme kanë shqyrtuar rastet me numra lëndësh AA.nr.106/2025 dhe AA.nr.107/2025, duke marrë vendime të ndara për secilën ankesë.

Në rastin e parë, ankesa e LVV-së kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ZL.Anr.221/2025 është hedhur si e palejuar, pasi për të njëjtën çështje tashmë kishte vendim të mëparshëm të Gjykatës Supreme (AA.nr.95/2025, datë 23 tetor 2025), si dhe për faktin se ankesa ishte parashtruar pas afatit ligjor.

Në rastin e dytë, me numër AA.nr.107/2025, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.358/2025 të datës 29 tetor 2025, duke vlerësuar se vendimi i PZAP-së ishte marrë në përputhje me ligjin.

Sipas Gjykatës, ankesa e Vetëvendosjes në PZAP nuk ishte dorëzuar brenda afatit ligjor prej 48 orësh, të përcaktuar me nenin 118 të Ligjit nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.