Supremja prish vendimet e PZAP-së për dy asamblistë, rasti në rivendosje

Supremja prish vendimet e PZAP-së për dy asamblistë, rasti në rivendosje

Kolegji i Gjykatës Supreme ka prishur vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP, duke pranuar ankesat e kandidatëve për Asamble Komunale, Gentiana Bajrami-Atashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Blerim Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate dhe duke i kthyer rastet në rivendosje.

Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, PZAP nuk ka vepruar në përputhje me ligjin gjatë shqyrtimit të ankesave të dy kandidatëve për Zgjedhjet Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, pasi ka refuzuar kërkesat për verifikimin dhe hapjen e kutive të votimit në disa qendra ku janë evidentuar mospërputhje.

Gjykata ka theksuar se refuzimi i ankesës së Gentiana Bajrami-Atashit ishte i pabazuar në ligj, duke vlerësuar se PZAP ka dështuar të zhvillojë hetime të plota në përputhje me nenin 117 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe nenin 15 të Rregullores 01/2025 për procedurat e ankesave. Këto dispozita e detyrojnë PZAP-in që, në raste dyshimi, të urdhërojë rinumërimin e fletëvotimeve dhe të hetojë materialin zgjedhor, përfshirë kutitë e votimit.

Në rastin tjetër, që lidhet me ankesën e Blerim Krasniqit, Gjykata Supreme ka konstatuar se PZAP ka refuzuar gabimisht ankesën, duke neglizhuar dëshmitë ekzistuese në dosje dhe pamundësinë e palëve për të siguruar prova shtesë për shkak të mungesës së qasjes në Qendrën e Numërimit.

Kolegji i Gjykatës Supreme ka vlerësuar se të metat e evidentuara janë të natyrës thelbësore, çka e bën të nevojshme kthimin e rasteve në rivendosje. Gjykata ka udhëzuar PZAP-in që, gjatë rishqyrtimit të çështjeve, të hetojë të gjitha dëshmitë relevante, të sigurojë materialin zgjedhor përkatës, veçanërisht kutitë e votimit, dhe të garantojë integritetin e procesit zgjedhor.

Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se është e domosdoshme që çdo votë të shkojë në destinimin e saj të synuar, duke siguruar që vullneti i qytetarëve të mos devijohet dhe procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me standardet ligjore dhe demokratike./rtk