Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
PDK-ja kishte ushtruar ankesë pasi PZAP e kishte hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën ZP.Anr.69/2025, të datës 8 janar 2026. Në kërkesën e saj, ky subjekt politik kishte propozuar që Gjykata Supreme ta urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të anulojë të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2026, ora 16:00, dhe t’i përjashtojë nga numërimi ato të pranuara pas këtij afati, përfshirë fletëvotimet e pranuara më 2 dhe 5 janar 2026, si dhe të rishikojë rezultatin zgjedhor pa përfshirjen e tyre.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, Gjykata Supreme ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të kontestuar dhe ka konstatuar se ankesa është e pathemeltë. Sipas Gjykatës, qëndrimi juridik i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar, andaj vendimi i këtij institucioni mbetet në fuqi.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se afatet ligjore janë garanci për palët ankuese dhe detyrim për institucionet përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave brenda afatit kohor, duke nënvizuar se respektimi i afateve në procesin zgjedhor është jetik për përmbylljen e tij dhe për të shmangur zvarritjet kohore.



Të tjera
Rusia do të kryente një atentat të rremë ndaj Viktor Orban për të fituar zgjedhjet
Frutat që të ndihmojnë lëkurën të duket më mirë
Franca mbështet Kosovën në rrugën drejt BE-së