Deputeti Xhelal Sveçla, i cili mban edhe pozitën e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, ka munguar sot në seancën gjyqësore për rastin e njohur si “Gazi lotsjellës”, e cila ishte paraparë të mbahej në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Sveçla, që akuzohet bashkë me Salih Zybën, Fitore Pacollin dhe Drita Millakun, kishte njoftuar gjykatën përmes emailit lidhur me mungesën e tij në seancë. Për të, më herët ishte lëshuar urdhërarrest, por gjykata konfirmoi se ai ka arsyetuar mungesën me shkrim.
Në mungesë të Sveçlës, gjyqtari Sabit Sadikaj konstatoi se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e seancës, ndërsa prokuror i rastit ishte Valdrin Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë seancës, gjykata kërkoi edhe nga të pandehurit Salih Zyba dhe Fitore Pacolli që të sqarojnë mungesën e tyre në seancën e kaluar. Të dy deklaruan se kishin arsye të justifikuara dhe se do t’i dorëzojnë me shkrim arsyetimet e tyre.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.
“Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.



Të tjera
Mënyra se si përqafoni thotë shumë për personalitetin tuaj
Ushqimi pas skadimit të afatit
Lirim Gashi zbulon të dhëna të papritura për Richard Grenell dhe aktivitetin e tij në Kosovë