Sylvinho dhe stafi i tij vëzhgojnë futbollistët shqiptarë që luajnë në Turqi – Ekonomia Online

Sylvinho dhe stafi i tij vëzhgojnë futbollistët shqiptarë që luajnë në Turqi

Stafi teknik i Kombëtares shqiptare vijon punën për ndeshjen e playoffit me Poloninë që do të luhet në 26 mars në Varshavë. Trajneri Sylvinho dhe asistentët e tij po ndjekin nga afër të gjithë futbollistët dhe tashmë etapa e radhës ishte në Turqi.

I shoqëruar nga Dorival dhe Ervin Bulku, trajneri brazilian udhëtoi drejt Turqisë për të ndjekur futbollistët shqiptarë që luajnë në futbollin turk.

Kështu Sylvinho dhe asistentët e tij fillimisht ndoqën ndeshjen mes Basaksehir dhe Trabzonspor të luajtur në 3 mars dhe të vlefshme për Kupën e Turqisë dhe në mënyrë të vecantë Ernest Muçin që u aktivizua për të 90 minutat dhe për më teper dha dy asist në fitoren 4-2 të skuadrës së tij

Një ditë më pas, Sylvinho dhe asistentët e tij ndoqën sfidën tjetër të këtij kompeticioni atë mes 

Besiktas dhe Rizespor, një ndeshje kjo që përmbante brenda saj derbin e shqiptarëve Kristjan Asllani dhe Qazim Laçi. Por nëse Asllani u aktivizua si zëvendësues në këtë përballje duke hyrë në fushën e lojës në minutën e 78, Qazim Laçi u preferua të lihej në stol nga trajneri i tij.

Kujtojmë se përpara vizitës në Turqi, Sylvinho kishte udhëtuar edhe drejt Italisë ku u takua me 2 kapitenët e skuadrës kombëtare, Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj. I gjithë ky tur i stafit teknik të Kombëtares bëhet me synimin që të mbahet kontakt i drejtpërdrejtë me futbollistët dhe në të njëjtën kohë është pjesë e procesit të vëzhgimit të futbollistëve kuqezi në kuadër të përgatitjeve për sfidën shumë të rëndësishme të playoffit me Poloninë.