Rama: Synimi ynë, raporti i 2027 të rekomandojë anëtarësimin në BE

Synimi ynë, raporti i 2027 të rekomandojë anëtarësimin në BE

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, prezantuan raportin e progresit për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit europian.

 

Raporti vlerëson se vendi është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2027, një objektiv që Kryeministri e cilësoi si “historik” dhe “ambicie kombëtare”.

Rama theksoi se raporti përmban shumë elementë, por sipas tij, mesazhi më i rëndësishëm është qartësia se Shqipëria po ecën drejt përmbylljes së negociatave.

“Ky raport thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë një gjë: që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të gjitha,” u shpreh ai.

Megjithatë, Kryeministri nuk e fshehu se rruga drejt anëtarësimit nuk është pa sfida. Ai e përshkroi raportin si një “gotë e mbushur përgjysmë”, duke nënvizuar se energjia duhet të fokusohet tek “gjysma bosh”, pra tek sfidat cilësore dhe sasiore që mbeten për t’u adresuar në çdo hap të procesit.

“Ndërkohë që patjetër në këtë rrugë të duhur ka sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në mënyrë sasiore por edhe cilësore në çdo hap. Natyrisht që raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë. Ajo që kemi bërë gjithmonë dhe kemi bërë përsëri është që, duke marrë të gjithë energjinë e nevojshme nga gjysma plotë, të fokusohemi me energjinë e nevojshme tek gjysma boshGjithmonë kemi bërë atë që bëjmë edhe sot: duke marrë energjinë nga gjysma plotë, fokusohemi tek gjysma bosh,” tha Rama, duke shtuar se synimi është që raporti i vitit 2027 të përmbajë rekomandimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në vijim, Kryeministri u shpreh krenar për pozicionin që Shqipëria ka arritur në rajon, duke e cilësuar vendin si “në parajsën e këtij procesi” së bashku me Malin e Zi.

“Jam krenar që tani askush nuk harron të thotë që Shqipëria është shembull pozitiv për vendet e tjera që duan të jenë pjesë e BE-së,” deklaroi ai.

Rama njoftoi se Shqipëria ka hapur pesë grupkapituj në një kohë rekord dhe pret të hapë kapitullin e gjashtë brenda vitit, duke synuar që të gjithë kapitujt të jenë të hapur deri në fund të vitit. Ai e lidhi këtë sukses me përgatitjen e gjatë dhe të qëndrueshme të ekipit negociator, veçanërisht gjatë asaj që e quajti “epoka e poshtërimit”.

“Kjo është raporti për mua, të tjerat janë të gjitha pjesë të detajuara të një procesi ku ne kemi kryer në një kohë rekord hapjen e pesë grupkapitujve, dhe besoj se do hapim grupkapitullin e gjashtë dhe do ta mbyllim vitin me gjithë kapitujt e hapur. Kjo ka ardhur si rezultat i një fakti që dua ta risjell në mendjen e të gjithëve. Në vitet e poshtërimit, siç unë i riquaj ato vitet kur na jepte Kadiu por na i refuzonte Aliu, domethënë kur Komisioni rekomandonte hapjen e negociatave dhe për shkak të dy apo tre vendeve, Këshilli nuk arrinte dot të hapte negociatat me Shqipërinë, ne kemi bërë atë që kam përsëritur asaj kohe: jemi përgatitur për ditën që do të hapeshin negociatat.”

Në fund, Kryeministri vuri në dukje një element inovativ të procesit: përdorimin e inteligjencës artificiale. “Sot i dimë shumë mirë detyrat. Jemi i vetmi vend në rajon që përdorim inteligjencën artificiale për këtë proces,” përfundoi ai.