Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë së LDK-së dhe deputet i zgjedhur në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka shpallur sot kandidaturën për kryetar të partisë.
Njoftimin e bëri përmes një postimi në Facebook.
“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky është momenti për bashkim. Për maturi. Për guxim politik. Për një fillim të ri që ndërtohet mbi parime, besim dhe vizion”, shkroi Hoti.
Kandidaturën e tij e sheh hap të guximshëm dhe të duhur, analisti politik Avni Arifi.
Ai thotë për Gazeta Blic se Hoti ka logjikë shtetformyese dhe mund ta unifikojë LDK-në.
“Kandidimin e z. Hoti e shoh si një hap të guximshëm dhe të duhur për LDK-në. Në logjikën time z.Hoti është kuadër i devotshëm i LDK-së, që ka vizion edhe për vendin por edhe për partinë. Hoti ka logjikë shtetformuese por edhe qasje inkluzive dhe institucionaliste dhe mund të unifikojë LDK-në”, ka vlerësuar Arifi.
Ai nuk e di nëse Abdixhikut do t’i pranohet dorëheqja, por thekson se projekti ekzistues i tij ka pësuar debakël dhe nëse rizgjedhet duhet të ketë një projekt krejt të ri për partinë.
“Nuk e di se a do t’i pranohet dorëheqja Abdixhikut por mendoj se ri-zgjedhja e tij duhet të shoqërohet me projekt krejt të ri nga Abdixhiku sepse projekti ekzistues ka pësuar debakël”, ka deklaruar Avni Arifi për Gazeta Blic.
Ndërsa, Alma Lama, ish diplomate, ka thënë se Avdullah Hoti është ndër figurat më serioze të LDK-së dhe me profil të lartë.
“Z. Hoti është një nga figurat më serioze të LDK-së, me profil të lartë politik dhe intelektual. Si ish kryeministër është nënshkrues i Marrëveshjes së Washingtonit, po kështu ka mbajtur poste të tjera të rëndësishme. Gjatë pesë viteve të fundit ka qenë nga zërat e pakët opozitar në Kuvend, me argumente substanciale kundër keqqeverisjes. Mendoj se zgjedhja e tij në krye të LDK-së do të përputhej me profilin e kësaj partie si shtetndërtuese dhe do të mund të ofronte një vizion të qartë për qeverisjen si antipod i populizmit”, ka vlerësuar ajo.
Kurse, lidhur me dorëheqjen e Abdixhikut, sipas saj, nuk ka kuptim që të kërkojë vota sërish, sepse nënkupton rikonfirmim dhe jo dorëheqje.
“Sa për Abdixhikun, nëse ka dhënë dorëheqje, nuk ka asnjë kuptim që të kërkojë sërish vota nga Kuvendi i LDK-së, se pastaj nuk quhet dorëheqje por kërkesë për rikonfirmim. Mendoj se qëndrimi i tij i mëtejshëm në krye të partisë mund të thellojë ndarjet e mëtejshme brenda LDK-së”, ka deklaruar Alma Lama.
Kujtojmë se Kuvendi i LDK-së do të mblidhet të shtunën e 31 dhjetorit, ku Lumir Abdixhiku do të ofrojë dorëheqjen e tij./Gazeta Blic/



Të tjera
Pesë ushqime të lehta që mund t’i konsumoni para gjumit, ja cilat janë ato
Franca do të përshpejtojë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç
Bie fasada e ndërtesës në Fushë Kosovë, lëndohet një person