Tahiri dhe Peci përfundimisht në balotazh – diferenca mes tyre vetëm 122 vota

Mitrovica e Jugut pritet të ketë një balotazh tejet të ngushtë për kryetar komune, pasi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka dalë përpara rivalit të tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, me vetëm 122 vota diferencë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar në mbledhjen e sotme se në raundin e dytë do të përballen pikërisht dy kandidatët kryesorë, Peci dhe Tahiri.

“Në balotazh për Komunën e Mitrovicës së Jugut shkojnë Faton Peci me 15 mijë e 830 vota dhe Arian Tahiri me 15 mijë e 708 vota”, tha Radoniqi.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, Peci ka siguruar 47,94% të votave, ndërsa Tahiri 47,57%, duke e bërë këtë një nga garat më të ngushta të këtij cikli zgjedhor.