Tahiri për Osmanin: E mbylli gojën që nga dita kur mori detyrën, në Amerikë s’u prit nga askush

Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, ka komentuarme tone kritike qasjen e presidentes Vjosa Osmani ndaj zhvillimeve politike në vend.“Vjosën e mirëprita kur erdhi, sepse është profesoreshë dhe doktor shkence. Para saj kishim një police, dhe thash eci Kosova, tani kemi një doktor shkence të arsimit të lartë. Por ajo erdhi dhe e mbylli gojën që nga dita e parë që mori detyrën e presidentes,” tha Tahiri në emisionin Kosova Live në T7.

Sipas saj, Osmani ka dështuar ta përmbushë rolin kushtetues të mbrojtjes së funksionalitetit të shtetit.

“Me Kushtetutë, ajo e ka për obligim ta ruajë rendin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit. Ne patëm bllokim të shtetit për një vit një dështim i madh. Dy, kur kushtetuta u shkel, Gjykata foli, por Vjosa nuk hapi gojën as për të përshëndetur punën e saj,” shtoi ajo.

Tahiri komentoi edhe vizitën e fundit të presidentes Osmani në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar si të pasuksesshme.

“Shkoi në Amerikë dhe nuk u prit nga askush, as ajo as Kurti. Nuk ka qenë e nevojshme të shkohej, sepse vetëm i treguan botës se si nuk respektohen. Në darkat tradicionale, ku presidenti Trump i pret liderët nga e gjithë bota, Vjosa nuk ishte pjesë. Serbia e Rusia u kënaqën me këtë situatë. Me këto takime, vetëm u tregua se sa keq i kemi punët,” përfundoi Edita Tahiri.