“Takimet Albin Kurti–opozitë: Politologu zbulon prapaskenat, paralajmëron kriza të reja”

Presidentes Vjosa Osmani, sot edhe zyrtarisht i ka përfunduar mandati, tashmë këtë pozitë do ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe nëse nuk zgjidhet presidenti i ri edhe për 25 ditë, atëherë vendi shkon në zgjedhje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë gjithë javës që lëmë pas ka paralajmëruar takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Një gjë të tillë e ka përsëritur edhe dje para seancës së kuvendit.

“Jam në komunikim dhe në kontakt me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Do të ketë takime javën e ardhshme”, ka thënë shkurt Kurti.

Në fund, Haziri konfirmoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të takohet të hënën me kryeministrin e vendit, Albin Kurti për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

“Jemi në një rrethanë kur të hënën e ardhshme Abdixhiku do të takohet paradite me Kurtin për të biseduar për procesin e ri për rifillimin e procesit për zgjedhjen e presidentit të vendit”, përfundoi Haziri.

Politologu Adnan Qaka, nuk pret asnjë marrëveshje në mes pozitës dhe opozitës lidhur me çështjen e presidentit.

Nuk shoh as ndonjë ndërhyrje serioze nga faktori ndërkombëtar në këtë proces, pasi duket qartë se ekziston një tendencë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, gjë që do të dobësonte më tej pozitën politike të qeverisë aktuale. Zgjatja e kësaj krize politike rrezikon të dëmtojë rëndë kredibilitetin e shtetit tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në raportet me miqtë tanë ndërkombëtarë, duke reflektuar mungesë serioziteti dhe përgjegjësie institucionale nga të gjitha partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës”, deklaron Qaka.

Image

Politologu Adnan Qaka

Sipas tij, kriza nuk është e re, por e ricikluar dhe se në mungës të një ndryshimi rrënjësor nuk do të ketë zgjidhje, por vetëm kriza të reja.

“Kjo gjendje e rëndë politike ndikon drejtpërdrejt në rritjen e mosbesimit ndërkombëtar ndaj Kosovës, sidomos në një kontekst global të mbushur me sfida të mëdha. Prandaj, është e domosdoshme krijimi i një qeverie të unitetit kombëtar dhe zgjedhja e një presidenti me kredibilitet të lartë intelektual dhe kombëtar, një figurë unifikuese që nuk i përket dhe nuk ka qenë pjesë e asnjë subjekti politik. Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për një lidership të fortë, për një klasë politike të përgjegjshme dhe për një kulturë të mirëfilltë politike që mbron interesin kombëtar. Në këtë situatë globale të pasigurt, vendi duhet të fokusohet në sigurinë kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe social, si dhe në krijimin e rezervave shtetërore strategjike, përfshirë ushqime, naftë dhe barna. Si dhe armatosjen e fuqishme të shtetit tonë”.

“Duke njohur realitetin dhe mentalitetin e skenës sonë politike, ekziston një frikë reale se Kosova mund të përballet me një përkeqësim edhe më të madh të gjendjes aktuale. Mungesa e vizionit dhe e gatishmërisë për ta çuar vendin përpara po e shtyn Kosovën drejt një spiraleje rënëse, e cila reflektohet në depopullim, rritje të inflacionit dhe një klimë të thellë pesimizmi e dëshpërimi në shoqëri. Këto zhvillime kanë pasoja të rënda edhe në aspektin psikologjik dhe social. Shumë qytetarë po përballen me stres, pasiguri dhe madje depresion, si rezultat i drejtpërdrejtë i stagnimit ekonomik, varfërisë dhe krizës së vazhdueshme politike. Diskursi politik i ashpër dhe përplasjet e vazhdueshme në media vetëm sa e përkeqësojnë këtë gjendje. Debatet e përditshme politike në televizionet tona, shpesh të mbushura me individë pa integritet profesional dhe të rreshtuar sipas linjave partiake apo ideologjike, dhe agjenturave të ndryshme të huaja, nuk i shërbejnë informimit të drejtë të opinionit publik. Përkundrazi, ato shpesh krijojnë dezinformim, nxisin përçarje dhe prodhojnë një terror psikologjik kolektiv. Në vend të analizave serioze, shkencore dhe objektive, publiku përballet me retorikë boshe, akuza, fyerje dhe propagandë. Prandaj, debatet politike televizive duhet të transmetohen vetëm një herë në javë, në maksimum dy ose tri televizione, dhe të përfshijnë persona profesionistë, jo ” kolona të pesta” në shërbim të dikujt”, thekson Qaka.

Zgjidhja e vetme qëndron në krijimin e një klase të re politike, të pastër nga ndikimet e jashtme dhe e përkushtuar ndaj interesit kombëtar, një elitë politike me prioritet kyç interesin kombëtar, me qëndrime të qarta e të mirëformuara kombëtarisht, dhe jo ” kolonë e pestë” në shërbim të dikujt tjetër. Një klasë politike e përgatitur intelektualisht, me integritet të lartë moral dhe kombëtar, dhe me një vizion të qartë për zhvillimin e vendit.

Kosova ka nevojë për një elitë të re politike dhe intelektuale, të ndërtuar mbi vlera, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Një elitë që nuk i shërben interesave të ngushta, por që punon për të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve të tij. Vetëm përmes një transformimi të tillë mund të ndërtohet një strategji e qëndrueshme zhvillimore dhe të rikthehet besimi i qytetarëve dhe i partnerëve ndërkombëtarë në shtetin e Kosovës”, përfundon Qaka.