Takimi i Osmanit me partitë – LVV zyrtarisht merr pjesë në konsultime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar nesër në një takim të përbashkët konsultativ partitë politike parlamentare, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Takimi do të mbahet në orën 10:30, dhe tashmë pranimin e ftesave për këtë takim e kanë konfirmuar pothuajse të gjitha partitë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha  se e ka marrë ftesën dhe se do të marr pjesë në takim.

“Po e kam marrë ftesën nga Presidentja dhe do të marrë pjesë në takimin e ftuar”, ka thënë Kusari-Lila.

“Po na ka ftuar presidentja në takim për caktimin e datës së zgjedhjeve, takimi nis nga ora 10:30 dhe pjesë e tij do të jetë kryetari Abdixhiku”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Ndërkaq edhe nga Nisma Socialdemokrate kanë konfirmuar se do të marrin pjesë.

“Po kemi pranuar ftesën dhe do të marrë pjesë z.Limaj”, ka thënë Albert Maxhuni nga Nisma.

Ky zhvillim vjen pas seancës së sotme në Kuvend, ku i mandatuari i LVV-së për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme për të marrë postin e kryeministrit.