Takohen Arbër Zeneli dhe Agim Ademi – Ekonomia Online

Takohen Arbër Zeneli dhe Agim Ademi

Pas disa muajsh spekulimesh dhe debateve, Arbër Zeneli dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, kanë pasur një takim që duket se ka shuar tensionet mes tyre.

Zeneli, sulmuesi 30-vjeçar i Elfsborg, i cili ka grumbulluar 33 paraqitje dhe ka shënuar 9 gola me përfaqësuesen e Kosovës, ishte për një periudhë larg kombëtares për shkak të disa mosmarrëveshjeve që, sipas tij, datojnë rreth dy vite më parë.

Në një intervistë për mediumin suedez Aftonbladet, Zeneli kishte shprehur se gjithmonë ka pasur dëshirë të luajë për vendin e tij, por disa çështje mes tij dhe FFK-së nuk ishin zgjidhur ende.

“Synimi për të luajtur për Kosovën gjithmonë ekziston. Por mes meje dhe FFK-së ka disa çështje të pazgjidhura. Do të shohim si do të rrjedhin gjërat,” tha Zeneli, duke shtuar se mungesat e tij te Kombëtarja kanë ardhur “pak nga të dyja” – si vendim personal, ashtu edhe për shkak të mosftesave.

Takimi i fundit me kryetarin Agim Ademi duket të ketë dhënë rezultate pozitive. Ademi shkroi në rrjetet sociale:

“Sot pata kënaqësinë të takoj një futbollist të jashtëzakonshëm dhe një djalë fantastik, anëtarin e ekipit tonë kombëtar, Arbër Zenelin. Folëm për karrierën e tij, rikuperimin pas lëndimit, kthimin në nivelin elitar dhe evokuam kujtime nga paraqitjet e tij të paharrueshme me ekipin kombëtar. Shpresojmë që së shpejti të jetë sërish pjesë e Kombëtares sonë. Arbëri mbetet një aset i çmuar për Kosovën.”