Tash ëndërroj Botërorin me Kosovën – Ekonomia Online

Tash ëndërroj Botërorin me Kosovën

Nga korriku deri në tetor, emri i tij ka qenë në qendër të vëmendjes. Jo vetëm si një nga lojtarët më të kërkuar të merkatos së verës, por edhe për dilemat rreth kombëtares që do të përfaqësonte. Në fund, Hoffenheim pagoi rreth 5 milionë franga për të bindur Luganon, ndërsa Kosova fitoi “garën” me Zvicrën për ta pasur në radhët e saj.

Intervistë për Corriere de Ticino mbrojtësi kosovar, që në pak javë ka kaluar nga Superliga zvicerane në një nga kampionatet më të forta të botës. Hajdari rrëfen verën e trazuar, zgjedhjen mes Zvicrës e Kosovës dhe ëndrrën për të qenë pjesë e historisë së Botërorit 2026.

“Është diçka e pabesueshme të mendosh se Kosova mund të luajë në Botëror. Është një mundësi historike. E dimë që duhet edhe një hap fals nga Zvicra kundër Suedisë, por ne do të japim gjithçka në ndeshjet tona. Të luash krah Kreshnik Hajrizit dhe Amir Saipit e bën këtë rrugëtim edhe më të veçantë”, ka theksuar ai.

Albian, të mjaftuan vetëm tre javë për t’u bërë titullar në Hoffenheim. E prisje një përshtatje kaq të shpejtë?

“Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Ditët para dhe pas transferimit tim ishin paksa të çmendura. Pas dëmtimeve të disa mbrojtësve, Hoffenheim kishte nevojë për një lojtar me karakteristikat e duhura, që të mund të përshtatej menjëherë. Kështu që arritën tek unë. Në ndeshjen e debutimit kundër Eintracht Frankfurtit, në fund të gushtit, ndjeva se isha pak prapa me ritmin dhe gjendjen fizike. Pushimi i kombëtareve në fillim të shtatorit më ndihmoi shumë për të rikuperuar dhe për të gjetur ndjesitë më të mira — ato që më shoqërojnë tani bashkë me skuadrën time të re.”

Hoffenheim po bën një kampionat pozitiv, shumë pranë klubeve më të forta gjermane. Cilat janë ndryshimet që ke vërejtur krahasuar me Super League zvicerane?

«Intensiteti i Bundesligës dhe cilësia e lojtarëve janë thjesht në një nivel tjetër. Flasim për një nga pesë ligat më të mira në botë. Në Zvicër, Baseli, Young Boys dhe së fundmi edhe Lugano, kanë treguar se mund të qëndrojnë lart për një periudhë të gjatë. Në Gjermani, përveç Bayern Munichut, çdo kundërshtar mund ta mposhtë tjetrin. Kjo e bën kampionatin shumë interesant dhe argëtues.»

Nga Zvicra në Gjermani… Amoura mbetet i paprekshëm, apo jo?

“Absolutisht! Madje është bërë edhe më i shpejtë dhe më shpërthyes se kur luante me fanellën bardhezi. Ishte bukur ta takoja dhe ta sfidoja të dielën e kaluar kundër Wolfsburgut. Sigurisht, më vjen keq që, edhe pse fituam, ai arriti të shënojë dopietë. Por ky është futbolli.”

Roli yt i menjëhershëm në një kampionat si Bundesliga, ashtu si ai i Amouras, tregon se puna në Lugano ka qenë e mirë, apo jo?

“Ashtu është. Por po aq të rëndësishëm janë edhe planet e klubit që investon tek ti. Amoura, për shembull, përfitoi shumë nga faza e tij në Belgjikë, pa të cilën ndoshta nuk do të ishte bërë sulmuesi vendimtar që është sot në Bundesliga. Unë e bëra menjëherë hapin, por disa ndeshje të mira nuk mjaftojnë për të më quajtur protagonist të kampionatit gjerman. Ajo që ka rëndësi është vazhdimësia.”

Sa e rëndësishme ishte për ty që Hoffenheim e bleu kartonin tënd për një shumë të lartë, dhe jo me “çmim ulje”?

“Tregu gjithmonë udhëhiqet nga parimi i kërkesës dhe ofertës. Është e vërtetë që mes meje dhe klubit kishte disa marrëveshje të qarta, dhe Lugano nuk më ka munguar kurrë me besim. Shuma e paguar nga Hoffenheim është e konsiderueshme, dhe po — më bën krenar. Por po aq duhet të jetë krenar edhe Lugano, sepse është një klub që funksionon dhe di si të rrisë lojtarë si Hajdari, Amoura dhe, jam i sigurt, të tjerë në të ardhmen”.

Në Cornaredo ishe një nga lojtarët më të rëndësishëm për Mattia Croci-Torti. Të befasoi që nuk të zëvendësuan pas largimit?

“Është e vështirë për t’u thënë. Nuk duhet harruar që merkatoja ishte drejt fundit, dhe të gjesh zëvendësues në ato kushte nuk është e lehtë. Megjithatë, besoj se Lugano dhe trajneri kanë alternativa të mira në mbrojtje, pavarësisht vështirësive në fillim të sezonit”.

Para kalimit në Gjermani, kishe një verë të çuditshme: një herë jashtë skuadrës, pastaj në fushë, pastaj përsëri në pankinë. Çfarë ndodhi?

«Gjithçka ishte e planifikuar me klubin. Edhe pse nuk ishte e lehtë për t’u përballuar. Kishte interesime të shumta dhe kampionati zviceran filloi shumë më herët se të tjerët. Duhej të ruanim ritmin tim fizik dhe njëkohësisht të mos rrezikonim asgjë. E kuptoj që për stafin nuk ishte e thjeshtë të planifikonte me një lojtar si Hajdari që mund të largohej në çdo moment. Por komunikimi ishte gjithmonë i hapur dhe korrekt.»

A ke pasur ndonjëherë frikë se transferimi do të dështonte, si në të kaluarën?

“Jo, këtë herë isha i sigurt. Nuk ishte më çështje “nëse”, por vetëm “kur”.”

Kohët e fundit ke zgjedhur Kosovën në vend të Zvicrës, që tashmë të kishte grumbulluar. Si u mor vendimi?

“Federata e Kosovës kishte punuar për më shumë se një vit e gjysmë për këtë. Ndërkohë, pata mundësinë të debutoj me Zvicrën. Nuk ishte e lehtë për t’u menaxhuar. Unë jam dhe ndihem kosovar, por karriera ime më shtyu të provoj edhe përvojën me kombëtaren që më ka formuar, Zvicrën. Doja të kuptoja si do të ndihesha atje. Pas disa bisedave me Murat Yakin dhe trajnerin e Kosovës, Franco Foda, ndjenjat dhe reflektimet e mia më çuan drejt Kosovës”.

Tani ke mundësi reale të shkosh në Botëror me Kosovën, bashkë me Hajrizin dhe Saipin…

«Është e pabesueshme. Një Kosovë e vogël që mund të shkruajë historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në një turne të madh. Kemi nevojë për një hap të gabuar nga Zvicra ndaj Suedisë, por ne duhet të bëjmë maksimumin në ndeshjet tona. Të jetosh këtë aventurë me lojtarë si Kreshi dhe Amiri, ish-bashkëlojtarët e mi, e bën gjithçka edhe më të veçantë.»

Saipi është rikthyer si titullar në Lugano pas konkurrencës me David von Ballmoos. Keni folur për këtë

“Po, kemi folur gjatë grumbullimit me kombëtaren. Për një portier është shumë më e vështirë të përballojë situata të tilla. Ai e nisi sezonin si titullar dhe papritur u gjend në pankinë. Por e njoh mirë karakterin e tij — jam i sigurt që kjo do ta bëjë më të fortë. Do ta tregojë veten dhe do të kthehet si portieri kryesor i Luganos. Këtë ia uroj me gjithë zemër”.

“Penalltitë? Një mallkim që vazhdon…”

Marrëdhënia mes Albian Hajdarit, penalltive dhe kupave duket se nuk është aspak e lumtur. Më 28 tetor, mbrojtësi përjetoi një déjà-vu të hidhur në Kupën e Gjermanisë. Hoffenheim u përball me St. Pauli-n në transfertë dhe pas barazimit 2-2, gjithçka u vendos me penallti. Në tentativën e nëntë, ishte radha e Hajdarit — i cili, ashtu si në finalen e Kupës së Zvicrës kundër Servette-s, u ndal nga portieri.

Megjithatë, në kampionat gjërat po shkojnë shumë më mirë: Hoffenheim ndodhet në vendin e gjashtë me 16 pikë, vetëm 2 më pak se Leverkusen dhe 11 nga Bayern Munich. Që nga mbërritja e tij në fund të gushtit, Albian Hajdari ka luajtur 7 ndeshje në Bundesliga, 6 prej tyre si titullar.