Adem Salihaj: Tash është radha e Lumir Abdixhikut për reflektim

Tash është radha e Lumir Abdixhikut për reflektim

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë se pas dorëheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është koha që të reflektojë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përcjell KosovaPost.

Salihaj ka shkruar në Facebook se problemi kryesor nuk është vetëm humbja e dy komunave, por trendi i përgjithshëm i humbjes së LDK-së dhe PDK-së.

Sipas tij, ky trend kërkon dorëheqjen e kryetarëve të të dy partive që humbën komunat, si dhe një rishikim të strategjisë së tyre.

Postim i plotë:

Pas Memli Krasniqit, koha është të reflektojë edhe Lumir Abdixhiku. Dorëheqja e Memli Krasniqit ishte befasi për të mirë, sepse tregon se PDK megjithatë ka arritur një standard që nuk e kishte deri më tash. Tash është radha e Lumir Abdixhikut, sepse, njësoj si PDK, edhe LDK humbi dy komuna, madje njëra ka qenë bastion që nuk i ka humbur asnjëherë zgjedhjet. Pretendimi që LDK të dalë partia e parë, është vërtetë jo vetëm megaloman, por edhe absurd. Në fakt kjo nuk shihet askund në horizont, kështu që është vetëm përpjekje për të krijuar iluzion. Humbja e dy komunave nuk mund të mbulohet me faktin se nuk u humb Prishtina, sepse ky do të ishte injorim i realitetit dhe përpjekje për ta mashtruar elektoratin e LDK-së.

Problemi kryesor i këtyre zgjedhjeve nuk është humbja e dy komunave, por trendi i humbjes së LDK-së dhe PDK-së. Në anën tjetër Vetëvendosja tregoi trend të ngritjes, sepse i fitoi tri komuna të reja. Ky trend jo vetëm që kërkon dorëheqje e kryetarëve të të dy partive që humbën komuna, por kërkon edhe një rishikim të strategjisë së tyre. Me strategjinë e deritashme, këto dy parti nuk mund të dalin fituese edhe për një kohë të gjatë. Momenti është për të reflektuar.