Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është propozuar nga Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie si mandatar i dytë për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes, Konjufca iu drejtua kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, me tone mirënjohëse.
“I dashuri bashkëudhëtar i fillimit të rrugëtimit tonë, i nderuari kryetar i Vetëvendosjes, kryeministër i Republikës, miku im Albin Kurti. Më lejo që qysh në fillim të të siguroj se populli shumë shpejt pret që ti të rikthehesh më fuqishëm se në vitin 2021”, tha Konjufca.
Ai e cilësoi Kurtin si “kryeministrin më të mirë që ka pasur ndonjëherë Kosova”, duke theksuar se me përulje pranon nominimin për mandatar.
“Këtë e bëj si thirrje nga detyra, që na shndërron në shërbyes të interesit publik”, tha ai.
Konjufca theksoi se Vetëvendosje po bën kompromisin më të madh të mundshëm, për të shmangur dy palë zgjedhje brenda tre muajve dhe për të mundësuar miratimin e buxhetit për vitin 2026.
“Pa buxhet rrezikohen dimensione vitale të qytetarëve tanë – mbi 80 mijë paga në sektorin publik, pensionet, shtesat për fëmijë dhe projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë. Do të ishte e pafalshme nëse për shkak të tekave të partive politike humbim përfitime qindra milionëshe, vetëm për t’u krekosur se po shkojmë në zgjedhje”, tha Konjufca, duke përmendur edhe mosshpërndarjen e pagave në RTK dhe mungesën e afatit për buxhetet komunale.
Duke iu referuar situatës politike, ai theksoi se tani vendimi është në duart e partive opozitare.
“Tash partitë e tjera e kanë në dorë nëse duan ta votojnë Qeverinë apo duan zgjedhje menjëherë. Të gjithë jemi në llupën e popullit, por mua po më duket që shpata e gjykimit do të jetë më e mprehtë se kurrë më parë,” deklaroi Konjufca.
Ai shtoi se kundërshtarët politikë janë bashkuar “vetëm për t’ia pamundësuar Kurtit krijimin e qeverisë për herë të tretë”, por sipas tij kjo nuk mund ta ndalë lidhjen e Lëvizjes Vetëvendosje me qytetarët.
“Nuk ka forcë që e shkëput apo e ndal lidhmërinë e popullit tonë me Lëvizjen Vetëvendosje,” përfundoi Konjufca.
Kandidatura e tij u propozua zyrtarisht nga Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.
“Unë si kryetar i Vetëvendosjes propozoj që mandatin e dytë për krijimin e Qeverisë t’ia japim nënkryetarit, aktivistit, mikut dhe shokut tonë të besueshëm, Glauk Konjufca,” tha Kurti.



Të tjera
Kurti propozon Konjufcën për mandatar të dytë, për të shmangur zgjedhjet e dyfishta
Hoti reagon pas nominimit të Konjufcës për kryeministër
PDK kërkon zgjedhje: Kurti po zgjat artificialisht krizën politike